14:39, 29 Janar 2020

Disa orë para se Kobe Bryant të ndërronte jetë në aksidentin me helikopter, legjenda e NBA-së shkoi në kishë që të lutej.

Ai e kishte vizituar Kishën Katolike “Mbretëresha e Engjëjve” në Newport Beach të Kalifornisë në mëngjesin e të dielës para meshës së orës 7, sipas priftit Steve Sallot.

“Ne shtrënguam duart. Unë e pashë që ai e kishte bekuar veten, sepse kishte pak ujë të shenjtë në ballin e tij”, ka thënë Sallot.

Prifti ka deklaruar se Kobe Bryant ishte i qetë për besimin e tij, por “pa dyshim një besimtar”, transmeton Klan Kosova.

Pak minuta para meshës së të dielës, prifti Sallot u takua me Kobe Bryant. Bryant e kishte vizituar faltoren e lutjeve dhe ishte duke dalë nga kisha kur foli shkurtimisht me priftin e tij.

Sallot tha se ata kishin biseduar se si një ditë Bryant do të donte që ta pranonte Sakramentin e Krezmimit.

Disa orë më vonë, ylli i basketbollit Kobe Bryant dhe vajza e tij 13 vjeçare bashkë edhe me gjashtë pasagjerë të tjerë vdiqën pasi helikopteri pësoi një aksident të rëndë.

Ata ishin duke shkuar në një lojë basketbolli në Thousand Oaks, ku ish-lojtari i NBA-së do të ishte trajner, derisa vajza e tij pritej të luante.

41 vjeçari Bryant dhe familja e tij ishin të rregullt në kishën e Newport Beach ku luteshin bashkë me qindra besimtarë të tjerë gjatë meshës, por gjithmonë përpiqeshin që të mos tërhiqnin vëmendje.

 

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë