KMDLNj: Rritja e çmimeve të energjisë, ose për të gjithë, ose për askënd - Klan Kosova

KMDLNj: Rritja e çmimeve të energjisë, ose për të gjithë, ose për askënd

NULL NULL
4 months më parë

Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas paralajmërimit të Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), se në katër komunat veriore nuk do të ketë ngritje të çmimit të tarifave të energjisë elektrike.

Përmes reagimit të KMDLNj-së thuhet se shtrenjtimi i rrymës po bëhet në mënyrë “selektive , diskriminuese dhe në baza etnike”.

“Duket se Qeveria e Kosovës është e vendosur të miratojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike ndonëse me këtë po rrezikon sigurinë sociale për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve të Kosovës. Për më keq , shtrenjtimi i rrymës po bëhet në mënyrë selektive , diskriminuese dhe në baza etnike. Gjatë raportimit të Shefit të ZRRE , Jusuf Fejzullahu para Komisionit parlamentar me 25 janar 2022 doli një e dhënë tmerruese se një letër e KFOR apo urdhëresë ka vendosur që të mos iu ndërprehet rryma serbëve të Veriut e që vërteton pohimet e KMDLNj se politika dhe jo gjendja ekonomike është përcaktuese që serbët e Veriut furnizohen rregullisht , pa asnjë kufizim me rrymë për të cilën kurrë dhe asnjëherë nuk e kanë paguar asnjë cent të vetëm”.

Tutje në komunikatë thuhet se shqiptarët dhe konsumatorë të komuniteteve joserbe në mënyrë të paskrupullt janë plaçkitur nga KEDS , me vendim të ZRRE që e ka “përligjur këtë plaçkitje dhe diskriminim në baza etnike , deri në racizëm”.

“ZRRE këto veprime të kundërligjshme i ka marrë nën ndikim të politikës së mëparshme dhe politikës aktuale ndonëse thirret në pavarësinë e marrjes së vendimeve. ZRRE dje para komisionit deklaroi se shtrenjtimivi rrymës është i domosdoshëm për të shpëtuar nga falimentimi KEDS dhe KOSST ndërsa nuk brengoset për falimentimin dhe varfërimin galopant të shumë familjeve kosovare. Vet pohimi se serbët e Veriut nuk janë përfshirë në propozim për rritje të çmimit të energjisë elektrike është provë e mjaftueshme që Prokuroria e shtetit të fillojë hetimet ndaj ZRRE për trajtim të pabarabartë dhe diskriminim të konsumatorëve në baza etnike”.

“Është interesant një fakt e që nuk përmendet se ZRRE ka propozuar që rritja e çmimeve të zbatohet deri në prill të vitit 2023 e që nënkupton se edhe nëse në tregun botëror bien çmimet e energjisë elektrike , në Kosovë po të mbesin të njëjta , me rritje. Sot, në ora 14.00 në Kuvendin e Kosovës do të votohet Rezoluta e propozuar nga opozita për mosshtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike e që nga pozita që ka shumicën absolute të votave
kjo Rezolutë po refuzohet. Për KMDLNj është normale që deputetët e LS të përkrahin vendimin diskriminues dhe racist të ZRRE sepse në mënyrën më të pandershme dhe të kundërligjshme përfitojnë nga mospagesa e rrymës dhe shërbimeve tjera mirëpo nuk mund të kuptohet pse deputetët shqiptarë dhe joserbë që edhe vet janë viktima të pkaçkitjes dhe diskriminimit , e përligjin , me votën e tyre këtë diskriminim dhe plaçkitje institucionale ! Për çfarë të drejta të njeriut apo zbatim të ligjit që garanton barazi dhe trajtim jodiskriminues flasin pastaj këta deputetë!

KMDLNj është kundër çdo diskriminimi në baza etnike , të moshës , gjinisë , fetare apo bindjeve politike dhe të vetmin kriter për lehtësim apo lirim të pagesës për rrymë dhe shërbime tjera e ka kriterin e gjendjes ekonomike. Propozimi i ZRRE dhe pajtimi i Qeverisë së Kosovës i dhunon parimet e barazisë para ligjit dhe detyrimeve e që në mënyrë flagrante shkel të drejtat e njeriut”.

Për të bërë një zgjidhje , qoftë edhe të përkohshne , KMDLNj propozon që të ketë një rritje lineare , të durueshme dhe të pranueshme për të gjithë konsumatorët, pa bërë asnjë dallim.

“Në të kundërtën nuk duhet të ketë rritje çmimi për asnjë konsumatorë. KMDLNj fuqishëm kundërshton amnistimin e serbëve të Veriut për të mos e paguar rrymën dhe, nëse vazhdohet me këtë praktikë diskriminuese edhe në të ardhmën atëherë lirisht mund të themi se po legalizohen strukturat paralele në këtë pjesë të Kosovës që ende po kontrollohet nga Serbia. Qeveria e Kosovës duhet të mbrojë interesin e qyetarit të Kosovës e jo të bëjë përpjekje të shpëtojë KEDS nga falimentimi e që del të jetë brenga kryesore e ZRRE”, thuhet tutje.