Kllokoqi me letër Kurtit, Muratit dhe Latifit: Kur na u desh neve ndihma juaj, na harruat - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kllokoqi me letër Kurtit, Muratit dhe Latifit: Kur na u desh neve ndihma juaj, na harruat

NULL NULL
02/12/2021

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi, ka shkruar një letër të hapur për kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Financave, Hekuran Murati, dhe ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ai u kërkoi atyre t’ua lejojnë punën konform rregullave që po aplikohen edhe në shtetet fqinje, ose t’i mbështetin në obligimet e qirasë, punëtorëve dhe të ndajnë një pjesë të fitimit të vitit 2019 për pronarët e këtyre bizneseve, njofton Klankosova.tv.

“Klubet e natës dhe sallat e dasmave janë ministria e 16-të e Kosovës, duke marrë parasysh se diaspora qëllimin kreysor gjatë vizitës në Kosovë e ka argëtimin, pas një pune të lodhshme që bën në vendet ku vepron gjatë tërë vitit. Miliona euro tatime derdhen direkt e indirekt si zinxhir në arkën e shtetit nga gastronomia dhe kur na u desh neve ndihma juaj, na HARRUAT!

20 klube të natës dhe 200 salla dasmash në total për 19 muaj po mbahen të bllokuara, duke e pasur të ndaluar veprimtarinë e tyre, e aq më tepër duke marrë parasysh se situata me pandemi në 2 muajt e fundit ka qenë shumë stabile (mesatarisht 20 raste pozitive në ditë),” shkroi Kllokoqi në një postim në Facebook.

Tutje, ai u shpreh se afro 3 mijë punëtorë apo 15 mijë qytetarë të këtij vendi po përballemi me krizë të madhe ekonomike, siç tha, për shkak të vendimeve joadekuate konform situatës pandemike.

“Ju duhet të keni parasysh se edhe ne jemi të gjallë, frymojmë dhe kemi të drejtë ta sigurojmë egzistencën tonë, andaj MOS NA e MOHONI. Gjatë kësaj kohe keni bërë shkelje të së drejtës themelore njerëzore, MOHIMI I TË DREJTËS PËR PUNË, njëkohësisht pa na subvencionuar dhe duke e përkrahur heshturazi bankrotimin dhe mbylljen definitive të këtyre bizneseve.

Këto veprime janë duke shkatërruar atë që me mund e kemi ndërtuar ndër vite. Qytetarët tanë tash po frekuentojnë klubet e natës dhe sallat e dasmave në Maqedoni, që janë një orë larg nga Prishtina, apo në Shqipëri, dy orë e tridhjetë minuta. Rrjedhimisht, Kosova po e humb primatin e vendit me jetën më të mirë të natës në rajon, duke e anashkaluar komplet nga jeta ekonomike këtë nënsektor të rëndësishëm, si pasojë e masave diskriminuese që po aplikohen.”

I pari i gastronomëve tha se jemi me shkallën më të lartë të vaksinimit dhe stabilitetin më të lartë epidemiologjik për më shumë se dy muaj e gjysmë dhe sipas tij, institucionet as që janë lodhur që t’i rivlersojnë masat.