Lajmet e fundit

Kosova e vogël vazhdon të jetë lajm botëror, sidomos në sport.
Me arritje të vazhdueshme në arenën ndërkombëtare, sportistët kosovarë e dëshmuan se talenti dhe puna nuk njohin kufij.
Pikërisht këto arritje u bënë shkas që portali Klankosova.tv, në bashkëpunim me komentatorët e sportit të platformës më të madhe televizive në vend, Artmotion, si dhe redaksinë e sportit në Klan Kosova, të ndërmarrë një iniciativë për të zgjedhur personalitetet më të dalluara sportive të vitit 2025.
Larmia e sportistëve në propozimet dhe votat e hedhura - nga futbolli në basketboll e deri te e-Sport - e dëshmuan praninë e shtrirë kosovare në arenën ndërkombëtare.
Natyrisht, dominuan edhe emrat e futbollit sidomos pas suksesit që korri sivjet, Kombëtarja e Kosovës dhe disa lojtarë të saj me klubet e tyre në ligat më të forta në botë.
Shumica nga këta emra ishin kontribuues të mëdhenj individualë në një sukses kolektiv, gjë që sivjet lëkundën mitin që "kosovarët ia dalin vetëm si individë".
Vendi i tretë - Amir Rrahmani
Kapiteni i kombëtares, Amir Rrahmani, përsëriti mrekullinë me Napolin. Ai sivjet me në krye Antonio Conten u shpall kampion i Italisë, duke barazuar Diego Armando Maradonën me Scudetto të fituara.
Për më tepër, Rrahmani u zgjodh në Ekipin e Sezonit dhe në Ekipin e Vitit për sezonin e shkuar, duke u bërë mbrojtësi më i mirë në njërën prej ligave më të forta në botë përkrah Alessandro Bastonit të Interit.
Vendi i dytë - Fisnik Asllani
Kosovës nuk po i ndahen të mirat në sulm. Në qendër të saj pos që ka Piratin Vedat Muriqi, që është njëherësh golashënuesi më i mirë në histori të saj, ata janë bekuar tash edhe me praninë e Fisnik Asllanit.
Golat e tij në dy fitoret jetike të Kosovës ndaj Suedisë së Viktor Gyokeresit e Alexander Isakut, ia siguruan Kosovës një hap historik – atë të playoffit për Kupën e Botës, ku nga ai me shokë pritet të realizohet ëndrra vitin tjetër.
Anash kësaj, shpërthimi i tij në Bundesligë, te Hoffenheimi, nuk duhet lënë pa përmendur. Aty, në 17 paraqitje në të gjitha garat, ka marrë pjesë në 9 gola, ku prej tyre 7 i ka shënuar vetë e në dy ka asistuar vetëm në pjesën e parë të sezonit.
Vendi i parë - Distria Krasniqi
E para në botë në kategorinë e saj në xhudo s’kishte si të mos ishte e para në përzgjedhjen e Klan Kosovës dhe Art Motion.
Distria Krasniqi është emri që i ka vënë kapakun sportit kosovar për vitin 2025 pasi mbylli vitin si më e mira e dynjasë.
Ajo sivjet qe e bronztë në Abu Dabi dhe Paris, e argjendtë në Linz dhe e artë në Zagreb teksa në Kupën e Botës doli e dyta.
Edhe ky vit ishte i madh për pejanen që pesë vjet më parë kishte marrë medaljen e artë Olimpike, dhe që me suksesin e sivjetmë po e ruan vazhdimësinë e suksesit global të xhudisteve kosovare.
Më poshtë gjeni personalitetet sportit që u zgjodhën dhe numri i votave që morën nga ekipi i komentatorve të Art Motion dhe gazetarëve të sportit në Klan Kosova:
Distria Krasniqi – 11 vota
Fisnik Asllani – 8 vota
Amir Rrahmani – 7 vota
Drilon Hajrizi – 6 vota
Arb Manaj – 5 vota
Franco Foda - 5 vota
Edon Zhegrova – 4 vota
Makkazze – 3 vota
Dion Gallapeni – 3 vota
Zekirija Ramadani – 2 vota
Granit Xhaka – 2 vota
Arian Azemi – 1 votë
Driton Kuka – 1 votë
Genc Nuza – 1 votë
Besnik Krasniqi – 1 votë
Vedat Muriqi – 1 votë
Arian Azemi – 1 votë
Malvina Haziri – 1 votë
Ermal Berisha – 1 votë
Dardan Berisha – 1 votë