KIKS-i gjen Zade Gashin, gruan e llogarive bankare që u përdorën për mashtrim (VIDEO) - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

KIKS-i gjen Zade Gashin, gruan e llogarive bankare që u përdorën për mashtrim (VIDEO)

NULL NULL
1 month më parë

Kush është nënë Zadja, gruaja pas apeleve të rreme për ndihmë për shërim jashtë vendit?

Pas shtatë apeleve të rreme për ndihmë që i ka zbuluar KIKS-i qëndron një grua e vetme, Zade Gashi, në emër të së cilës janë hapur disa llogari bankare në banka të ndryshme të vendit.

Publikimi i këtyre apeleve filloi në shtator të 2020-ës dhe po vazhdon edhe sot.

Për ta kuptuar lidhjen e Zades me këta fëmijë, KIKS-i nisi kërkimet për vendndodhjen e saj.

Ekipi ynë zbuloi se 64-vjeçarja, e lindur në Koprivë të Mitrovicës, jeton në fshatin Breznicë të Obiliqit.

Nëna e shtatë fëmijëve të apeleve i tha KIKS-it se në fakt ajo nuk ka asnjë fëmijë. Zadja jeton e vetme me bashkëshortin e sëmurë i cili humbi aftësinë e të folurit katër vjet më parë.

Ajo hedh poshtë çdo mundësi të përfshirjes së saj në këto mashtrime, duke thënë se nuk është në dijeni se kush po mashtron në emër të saj.

“Kjo është rrenë. Unë fëmijë nuk kam pasë kurrë. As nuk kam pasë çikë, as nuk kam pasë djalë. Kjo është rrenë prej rrenave. Ti punën teme nuk e din. Gjendjen teme nuk e dini. Unë e di gjendjen teme. Policia e dinë krejt, krejt për mu. Mujshi me hiq hiqeni. Thuni rrenë ish, fëmijë nuk kish”, deklaroi ajo.

Për më tepër, ajo pretendon se një herë i kishte humbur letërnjoftimi dhe se këtë dokument identifikues ia kishte gjetur një taksist, pasi e kishte lajmëruar rastin në polici.

“Kqyre, mue kur më ka humb (letërnjoftimi) jam shku në polici, e jam kon që e kom çu burrin te mjeku në një taksi e më kish pas ra në qat kerr. Kur e ka la ai kerrin, ma ka gjet emrin”, pretendon ajo.

Zadja tha se në shtëpinë e saj disa herë kishte shkuar policia.

“Policia e dinë, ata janë kanë për qet rast. Janë kanë që 100 herë janë kanë. Kush po mashtron edhe për burrë edhe për mu. Për mu kurrë nuk janë kanë, kurrë, kurrë, kurrë. Qata unë po çuditna te ju çka më paska ndodhë mue”, rrëfeu ajo.

Ndonëse nuk e tha emrin e ndonjë personi që dyshon se mund të ketë manipuluar në emër të saj, Zadja pati një paralajmërim për ekipin e KIKS-it.

“Shkoni në hyqymet, shkoni në polici, sen as mos përmeni emra, as kurgjo. Sherrin ia shini, se e kanë rreh një që e kanë kap në burg. Një djalë që e kanë gjetë në Prishtinë e kanë rreh, janë dalë banda ia kanë rreh djalin policit, llom ia kanë bo. Ngomni mu, po më dhimni se bini në kurth”, përfundoi ajo.