10:22, 24 Gusht 2019

Këshilli Drejtues i Muzeut Kombëtar të Kosovës e cilëson si të jashtëligjshëm shkarkimin e drejtorit Ajet Leci.

Prandaj me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me zhvillimet e fundit për drejtorin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, e sheh të nevojshme të jap disa sqarime rreth procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Këshilli Drejtues, në kuadër të mandatit të tij, ka zhvilluar me përgjegjësi maksimale procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Në përputhje të plotë me kriteret e konkursit, Këshilli Drejtues  ka hartuar listën e ngushtë dhe ka ftuar kandidatët, sipas procedurës, për t’ju nënshtruar testit me shkrim, nga ku si kandidatë të suksesshëm janë kualifikuar pesë nga tetë kandidatë”.

“Këshilli Drejtues, në konsultim të ngushtë me Divizionin e Burimeve Njerëzore pranë MKRS-së, dhe sipas procedurës, ka vazhduar me fazën e dytë, atë të intervistimit të kandidatëve. Gjatë këtij procesi, secili anëtar i KD-së ka dhënë vlerësimin e vet për kandidatët e intervistuar në përputhje të plotë më bindjet e tyre. Pas mbledhjes së pikëve të të gjitha anëtarëve të KD-së, kandidati me më shumë pikë të grumbulluara doli të jetë Ajet Leci”.

“Gjatë gjithë procesit, Këshilli Drejtues ka qenë tejet transparent. Secila mbledhje e Këshillit, ku ndër pikat e rendit të ditës ka qenë zgjedhja e Drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, është monitoruar nga BIRN, respektivisht përfaqësuesi i tyre Isa Vatovci. Kurse, për të gjitha procedurat dhe paqartësitë, Këshilli Drejtues në vazhdimësi është konsultuar më Divizionin e Burimeve Njerëzore të MKRS-së”.

“Këshilli Drejtues, siguron opinionin publik se e gjithë procedura është zhvilluar në transparencë të plotë dhe në përputhje me kornizën ligjore në fuqi të Republikës së Kosovës, si dhe vendimi i Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës ka qenë ligjor, transparent, profesional i paanshëm dhe në përputhje të plotë me kriteret e konkursit”.

“Këshilli Drejtues, shpreh keqardhje për ndërhyrjen politike të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Z. Kujtim Gashi, si dhe këshilltarit të tij, Samir Hoxha në punën e KD-së,me qëllim që kandidati i preferuar i tyre, Sedat Sahitaj, kundërligjshëm të emërohet Drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës. KD, Sahitaj e kishte diskualifikuar në mungesë të dëshmisë bindëse dhe valide për të dëshmuar përvojën e punës në vende udhëheqëse, kurse me ndërhyrjen e  tyre në Komisionin për Zgjidhen e Kontesteve dhe Ankesave pran MKRS-së, i njëjti është futur në listën e ngushtë më vendim të KZAK-së edhe pse ata kërkonin vazhdimisht nga KD të futet kundërligjshëm në listën e ngushtë”.

“Tutje, po të njëjtit, kanë ushtruar presion të vazhdueshëm në anëtarët e KD-së që Sahitaj të emërohet Drejtor, përkundër faktit se ai ishte renditur i fundit në listë. Ndërhyrja politike e ministrit Gashi, shpërfaq hapur qëndrimin e tyre kundër çdo kriteri të konkursit, kundër veprimit profesional dhe të paanshëm të Këshillit Drejtues, i cili në asnjë rrethanë dhe në asnjë mënyrë, nuk ka pranuar ndikimin politik të ministrit Gashi të ushtruar edhe përmes këshilltari të tij, Samir Hoxha”.

“Këshilltari i Ministrit, Samir Hoxha, e ka vendas kandidatin, Sedat Sahitaj, prandaj shantazhi, ndërhyrja dhe insistimi i ministrit dhe këshilltarit të tij, që i preferuari i tyre të zgjidhet Drejtor kundërligjshëm, përpos që konsiderohet nepotizëm, lë të kuptohet se kemi të bëjmë,në një formë, edhe me korrupsion. Prandaj, nepotizmi dhe korrupsioni, në këtë rast, si emërues të përbashkët kanë, ministrin dhe këshilltarin e tij”.

“Këshilli Drejtues, konsideron se janë pikërisht Gashi dhe Hoxha fajtorët kryesor që Muzeu Kombëtar i Kosovëstash e një vit është me ushtrues detyre, dhe atë, në disa raste, të emëruar jashtëligjshëm nga MKRS, gjë kjo e vërtetuar edhe nga Agjencioni Antikorrupsion”.

“Këshilli Drejtues, konsideron se në mungesës të kompetencave ekzekutive që janë prodhuar si pasojë e dorëheqjes së qeverisë, vendimi i ministrit është i kundërligjshëm dhe jo valid deri në një përgjigje nga Gjykata Kushtetuese”.

klankosova.tv

Konkurs Pune

Lexo më shumë