Lajmet e fundit

Kushtrim Nijazi Kadriu, familjar i një ish-të burgosuri politik, i është drejtuar kryetarit të Shoqatës së të Burgosurve Politikë, Shefik Sadiku, me kërkesë për inicimin e procedurës për njohjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, si të burgosur politikë.
Në kërkesën drejtuar Shoqatës, Kadriu kërkon që të shqyrtohet mundësia e ndërmarrjes së hapave institucionalë për trajtimin e statusit të tyre, transmeton Klankosova.tv.
Sipas tij, kërkesa bazohet në bindjen se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i motivuar politikisht, ndërsa mënyra e zhvillimit të procesit, sipas tij, ka ngritur shqetësime lidhur me drejtësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës Speciale.
“Duke pasur parasysh se kontributi i tyre lidhet drejtpërdrejt me luftën çlirimtare dhe krijimin e Republikës së Kosovës, ju kërkoj që këtë çështje ta trajtoni me seriozitet dhe të ndërmerrni hapat institucionalë që janë në kompetencën e Shoqatës”, thuhet në kërkesën e Kadriut.
Kadriu, i cili në letër identifikohet si familjar i një ish-të burgosuri politik, i ka kërkuar kryetarit të Shoqatës së të Burgosurve Politikë që çështja të shqyrtohet në kuadër të kompetencave të këtij organizimi.
Kujtojmë se Jakup Krasniqi njihet si i ish-burgosur politik, ndërsa nga Haga u dënua me 25 vjet burgim.