Kërkohet nga BE-ja që t'i hap negociatat me Tiranën e Shkupin - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kërkohet nga BE-ja që t’i hap negociatat me Tiranën e Shkupin

NULL NULL
07/04/2022

Në një letër dërguar shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ministrat e Jashtëm të Austrisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë nisur nga lufta në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në vendet e BE-së, kërkojnë që Këshilli i Çështjeve të Jashtme, gjatë muajit prill të diskutojë për strategjinë në Ballkanin Perëndimor.

Ministrat theksojnë se Ballkani Perëndimor ka një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh pozitën kyçe strategjike si rajon i rrethuar nga vendet anëtare të BE-së.

Kryediplomatët e pesë shteteve të BE-së e vlerësuan vizitën që Borrell bëri në Mars në Shkup, Tiranë dhe Sarajevë, vizitë që sipas tyre, dëshmoi përkushtimin e fuqishëm të bllokut evropian për Ballkanin Perëndimor.

Sipas tyre është edhe më urgjente se kurrë më parë që t’i japin një shtytje procesit të integrimit të rajonit në BE.

Konkretisht, ministrat kërkuan që të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, nisja e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhënia e statusit të vendit kandidat Bosnjë e Hercegovinës dhe përshpejtimi i procesit të negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë.

Takimi i radhës i ministrave të Jashtëm të BE-së do të mbahet më 11 Prill në Luksemburg. Ende nuk është e qartë nëse tema e Ballkanit Perëndimor do të vendoset në rend dite, pasi sipas burimeve diplomatike, situata aktuale në Ukrainë dhe krimet e pretenduara të forcave ruse, kërkojnë që fokusi i ministrave të jetë për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës./tvklan.al/