Kërkohet ndihmë për familjarët e mjekëve të vdekur (VIDEO)

Kërkohet ndihmë për familjarët e mjekëve të vdekur (VIDEO)

NULL NULL
nga Arbreshë Uka 1 javë më parë

Oda e Mjekëve të Kosovës po kërkon që familjet e mjekëve dhe infermierëve të cilët kanë vdekur nga COVID-19 duke iu shërbyer pacientëve, të marrin një pagë mujore për një kohë të caktuar, sikurse që ishin paguar viktimat për pozitën e punës .

Këtë kërkesë zyrtare OMK gjatë të martës ia ka adresuar kreut të qeverisë Avdullah Hotit dhe ministrit të shëndetësisë në detyrë Armend Zemaj.

“Kemi gjetur se tri familje të kolegëve tanë kanë qenë komplet të varura nga pagat e tyre”, deklaroi kreu i OMK, Pleurat Sejdiu.

Njëra nga këto është edhe familja e mjekut Safet Idrizit nga Vushtrria.

“Babai ka qenë shtylla e shtëpisë, vetëm ai ka punuar, ne jemi katër fëmijë tre prej tyre studentë, nëna nuk punon”, tregoi i biri i të ndjerit, Shkëlqimi Idrizi.

Përveç kësaj kategorie, OMK kërkon mbështetje financiare për familjet e profesionistëve shëndetësorë edhe për raste të tjera.

“ Janë dy kategori ku duhet të ketë konsideratë, kur fëmijët i kanë të mitur ose kur familjarët e të ndjerëve që janë të moshuar kanë qenë të varur nga pagat e tyre”, tha Sejdiu.

Mirëpo nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ende nuk e kanë pranuar një kërkesë të tillë nga OMK.

Ndryshe, për të gjitha familjet e mjekëve të vdekur nga virusi, Oda ka ndarë një shumë prej një mijë eurove.