21:27, 27 Mars 2020

Qeveria​në detyrë e Republikës së Kosovës e ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese përgjigjen e saj kundër kërkesës së Presidentit Thaçi.

Në komentet e saj, Qeveria në detyrë thekson se shkresa e Presidencës përpos që përmban huqje elementare në raport me procedurën e referimit të kërkesave në Gjykatën Kushtetuese, po ashtu nuk plotëson as edhe të vetmin kriter minimal të pranueshmërisë të cilët parashihen me Kushtetutën e Kosovës dhe përcaktohen me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese.

Qeveria në detyrë njofton po ashtu se i ka ofruar argumentet e saj në lidhje me kompetencën për nxjerrjen e vendimit të kontestuar dhe përputhshmërisë së tij me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilat zbatohen drejtpërdrejt në Republikën e Kosovës.

Qeveria në detyrë thekson se Presidenca nuk e ka arsyetuar as edhe një pretendim të vetëm në kërkesën që ka dorëzuar, por vetëm përmend në mënyrë kaotike dispozita kushtetuese, ligjore dhe të akteve ndërkombëtare.

“Kërkesa e presidentit tregon një dështim total për të kuptuar edhe në nivelin më elementar, konceptet bazë të fushës së të drejtave të njeriut dhe së drejtës kushtetuese”.

“Qeveria në detyrë në fund i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të refuzojë kërkesën e Presidentit si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese, sepse konsideron se dështimi për të plotësuar kriteret e pranueshmërisë dhe dështimi për të ofruar edhe një argument të vetëm substancial në lidhje me pretendimet e tij, nuk mundëson as kalimin në shqyrtim të asaj kërkese”, thuhet në njoftimin drejtuar mediave.

Konkurs Pune

Lexo më shumë