20:14, 11 Korrik 2019

Xhudistja nga Kosova, Majlinda Kelmendi, ka folur për Olimpic Channel para Grand Prix në Budapest.

Në këtë intervistë për Federatën Ndërkombëtare fituesja e medaljes olimpike u ndal tek barazia gjinore.

Me këtë rast Kelmendi ka përmendur diskriminimin që iu bëhet femrave në sport.

“Të jem e sinqertë, në Kosovë është një përqindje e madhe e njerëzve që mendojnë se xhudo është më shumë sport për meshkuj dhe kjo nuk më pëlqen aspak”.

Ajo ka shtuar se edhe femrat kanë guxim dhe mund të merren edhe femrat me sporte luftarake.

“Sepse, unë jam femër dhe merrem me xhudo dhe mendoj se jam ambasadorja më e mirë e Kosovës. Pra, unë jam femër dhe merrem me xhudo. Prandaj, mendoj se ju kam treguar njerëzve se edhe nëse jemi femra, mund të bëhemi kampione. Ne mund të jemi të forta, ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Uroj që ky mendim dhe qëndrim të ndryshojë dita-ditës”, u shpreh Majlinda.

Majlinda thekson se asaj i pëlqen kur sheh femrat e vendeve të ndryshme dhe të besimeve të ndryshme në garat e xhudos.

“Kjo do të thotë shumë për mua dhe mendoj se po bëhet çdo ditë mirë e më mirë. Federata Ndërkombëtare e Xhudos, po ashtu edhe Federata Evropiane e Xhudos po punojnë në këtë drejtim, kështu që mendoj se po shkon më mirë tash”, ka përfunduar sportistja më e madhe kosovare, e cila nesër synon të fitojë medalje në “Budapest Grand Prix 2019”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë