Kelmendi: S’po shohim dialog të mirëfilltë, Beogradit t’i bëhet më shumë presion (VIDEO) - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kelmendi: S’po shohim dialog të mirëfilltë, Beogradit t’i bëhet më shumë presion (VIDEO)

NULL NULL
18/08/2022

Gazetari dhe drejtori i Klan Kosovës, Adriatik Kelmendi, ka folur rreth dialogut Kosovë – Serbi, ku sot u takuan kryeministri i vendit, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Kelmendi tha se bazuar në atë që është parë muajve e viteve të fundit në dialog, s’ka shumë pritshmëri nga ajo që do të ndodhë, por sipas tij, ka një fatkeqësi, ku siç tha ai, s’po shihet një dialog i mirëfilltë.

“Nga një dialog politik kishte zbritur kohëve të fundit në një dialog teknik dhe tashmë vlerësoj se ka degraduar tutje, po shohim një dialog për menaxhim krizash, siç e tha edhe Borrell. Nuk po shohim se po flasim me Serbinë për të arritur një marrëveshje përfundimtare por po shkojmë nga kriza në krizë, po i trajtojmë krizat për të gjetur një zgjidhje të shpejtë për deeskalim të situatës ose për mostensionim të mëtutjeshëm”, është shprehur Kelmendi në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, Kelmendi tha se Kosova ka të drejtë dhe askush s’mund t’ia mohojë që të zbatojë ligjshmërinë në tërë territorin e vet, por, sipas tij, ka shumë pikëpyetje nëse Kosova po e bën në mënyrën më të mirë zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e saj, teksa shtoi se do të duhej të kishte më shumë koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet kyçe të BE-së.

“Në këtë mënyrë që të mos bëjmë hapa, që duke synuar të zbatojmë diçka dhe të shohim përpara, ne të bëjmë hapa prapa që më as të mos flasim për zgjidhje, por të kthehemi në menaxhim krizash që po na kushtojnë”, është shprehur Kelmendi, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai shtoi se Beogradi s’do të lëshojë pe për ndonjë hap përpara nëse s’i bëhet presion serioz nga ShBA-ja dhe BE-ja.

“A i është bërë presion viteve të fundit, në disa raste kam insistuar se jo. Edhe në takimet që kam me zyrtarë të lartë të shteteve të ndryshme, ua theksoj rëndësinë që t’i kujtohet Serbisë se duhet ta ndërmarrë hapin që e kanë ndërmarrë vetë këto shtete, që i bie që të insistojnë se Serbia s’ka hapësirë tjetër përveç se ta njohë realitetin në Kosovë, që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe t’i kërkohet që në mënyrë eksplicite edhe ta njoh”, tha ai.