23:00, 6 Prill 2020

Drejtori i Përgjithshëm në Klan Kosova, Adriatik Kelmendi, ka thënë që kur ka raportuar në kohë lufte ka qenë një sfidë e madhe.

Por sipas Kelmendit, raportimi në kohë pandemie është akoma më i vështirë, pasi armiku në këtë rast është i fshehur.

“Kur është situatë lufte ose pandemie, nuk kemi saktësi se sa do të zgjasë dhe sa mund të rëndohet situata. Për shembull, raportimet nga situata të jashtëzakonshme mund të jenë edhe protestat, tërmetet, aksidentet por ato janë të parashikushme se sa mund të zgjasin”.

“Derisa në kohë lufte e kemi ditur ku është rreziku, tash rrezikun e kemi të fshehur. Ne këtu po e mbajmë distancën, por ndonjëri nga ke mund ta ketë virusin dhe të mos e dimë”.

Kelmendi në emisionin NIN në Klan Kosova, ka theksuar se problemi më i madh qëndron te ajo se virusi Covid 19 është tejet ngjitës.

“Po flasim për virusin me fuqinë më të madhe të ngjitjes. Ne si gazetarë duhet të mendojmë se si të raportojmë dhe vetë mos të jemi bartës. Në kohë lufte, e kemi ditur se janë forcat e armatosura serbe, kemi pasë një parashikueshmëri se nga kush mund të ruhesh. Sot gjithandej jemi në rrezik për njëri –tjetrin”.

Kelmendi ka thënë që gazetarët janë në njërën nga tri frontet në luftimin e pandemisë.

“Gazetarët dhe punëtorët e medias, janë në njërën nga tri frontet bashkë me mjekët, policët. Ne jemi për të dhënë informacionin sa më të saktë dhe më të shpejt gjatë kësaj kohe”.

“Gjatë gjithë kohës duhe të jemi vigjilentë për ta bërë edhe informimin edhe edukimin. Nëse secili sektor i përmbahet pjesës së tij, edhe shoqëria do të jetë më e përgjegjshme për t’u përballur me një situatë të tillë pandemike”.

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë