Lajmet e fundit

Gazetari Adriatik Kelmendi, duke raportuar nga Haga, tha se pas pak pritet të nisë seanca në të cilën do të shpallet verdikti në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kelmendi tha se UÇK-ja, sipas tij, “e ka arritur atë më sublimen, fitoren e luftës”, ndërsa tash pritet vendimi i gjykatës.
“Jemi në Hagë duke pritur me minuta që të fillojë procesi më i rëndësishëm që ka të bëjë me UÇK. UÇK e ka arritur atë më sublimen, fitoren e luftës dhe tash po pres vulosjen e të drejtës për të luftuar”, tha autori i emisionit “Rubikon”.
Ai theksoi se procesi ka qenë i gjatë dhe se, sipas avokatëve mbrojtës me të cilët ka biseduar, fajësia e të akuzuarve nuk është provuar në gjykatë.
“Ata sot pas një procesi shumë të gjatë, ka fillur me një akuzë shumë të tmerrshme e cila më pas nuk u provua në aktakuzë, deri tash të gjitha verdiktet kanë qenë dënuese shumë të shtrënguara në dhënien e lejeve, shumë pak vizita, dhe një process të dytë që pati fjalën përfundimtare pardje, sot finalja e madhe”.
Kelmendi tha se vendimi i sotëm pritet të tregojë përfundimisht se cili do të jetë verdikti.
“Sot do të shihet cili do të jetë verdikti. Me avokatët mbrojtës që kam folur ata janë të bindur se në gjykatë nuk u provua fajësia e asnjërit nga ata, por kanë ndrojtje të madhe. Nëse politika do të vazhdojë të ndikojë në punën e kësaj gjykate, mund të bie poshtë edhe mbrojtja që është bërë”.
Duke folur për atmosferën në Hagë, ai tregoi se një pjesë e mbështetësve pritet ta përcjellin procesin jashtë sallës së gjykimit.
“Shumica kanë hyrë do të hyjë edhe unë, por nuk do të qëndroj aty, sepse duam t’i përcjellim emocionet jashtë. Nëse hyjmë në galeri e pamundur të dilet pa përfunduar krejt procedura”./Klankosova.tv