KEK-u shtyn edhe për një ditë afatin për lidhje të kontratave me biznese NULL NULL 12.06.2025 14:44 12.06.2025 14:44 Korporata Elektroenergjetike e Kosovës (KEK) ka dalë me një njoftim të ri për shtyrje të afatit për lidhje të kontratave me bizneset. Afati është shtyrë edhe për 1 ditë, teksa theksohet se sërish arsye për këtë ka qenë interesimi i madh dhe pamundësia që të realizohen të gjitha kontratat brenda afatit të paraparë. “Për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm nga ana e bizneseve, si dhe pamundësisë për të realizuar të gjitha kontratat brenda afatit të paraparë, ju njoftojmë se afati për lidhjen e kontratave për Furnizim të Mundësisë së Fundit (FMF), bazuar në vendimin e ZRRE-së, është shtyrë deri nesër, më datë 13.06.2025”. “Nëse jeni ndër konsumatorët që preken nga ky vendim dhe ende nuk keni lidhur kontratën tuaj, ju ftojmë të veproni sa më parë”, tha KEK-u në njoftimin e sotëm. Kjo është hera e katërt që KEK-u shtyn afatin për nënshkrim të kontratave me bizneset që dolën në treg të hapur të energjisë elektrike. Me rastin liberalizimit të tregut të energjisë, vendim i cili hyri në fuqi më 1 qershor të këtij viti, shumë biznese u ankuan se po pranojnë oferta shumë të shtrenjta për furnizim me rrymë. Kjo bëri që ZRrE-ja ta përcaktojë fillimisht KEK-un si Furnizues të Mundësisë së Fundit (FMF) për një periudhë të përkohshme prej 60 ditësh, ndërsa sot nga Rregullatori erdhi njoftimi se KEK-ut i është shtyrë afati deri më 31 janar, 2026 si FMF. Sipas njoftimit të mëhershëm, KEK-u tha se është përcaktuar si FMF për një periudhë kalimtare deri më 30 korrik 2025, për të gjithë konsumatorët që ende nuk kanë zgjedhur furnizues në tregun e lirë. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Ekonomi Qeverisë dhe ZRrE-së i kërkohet shtyrja e afatit të daljes në tregun e lirë të energjisë 2 weeks