Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Katër eprorë të Policisë së Kosovës të suspenduar veç sot, dyshime për shkelje të rënda gjatë detyrës

NULL NULL
20.06.2025 17:11
Foto nga Arkiva;
Foto nga Arkiva;

Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet preliminare, në lidhje me dy raste ku janë përfshirë zyrtarët e Policisë së Kosovës, si të dyshuar për vepra penale, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. Katër zyrtarë policorë u suspenduan, dy në Pejë e dy në Gjilan – dhe të njëjtit do të jenë objekt hetimi për incidentet në të cilat dyshohet se kanë gisht, raporton Klankosova.tv.

Rasti në Pejë

Në rastin e parë për të cilin IPK njoftoi, bëhet fjalë për një nënkolonel dhe një kapiten policor, të dyshuar për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Klankosova.tv ka mësuar se dy zyrtarët e suspenduar janë Prek Tuna dhe Nexhat Gutiq.

Incidenti dyshohet të ketë ndodhur më 28.05.2025 kur disa zyrtarë policorë në Pejë ishin njoftuar për një aksident trafiku në rrugën “Shpëtim Bojku” dhe gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes kanë shoqëruar në stacion policor edhe një të dyshuar i cili nuk ishte përfshirë fare në aksident por që ka penguar zyrtarët policorë në realizimin e detyrave të tyre.

Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast (shoqërimin e të dyshuarit në stacion) duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk është njoftuar Prokuroria për rast (në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të policisë në raste të tilla), duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Këta janë nënkoloneli dhe kapiteni policor të suspenduar në Pejë

Rasti në Gjilan

Sakaq, në Gjilan u suspenduan një rreshter dhe një tjetër zyrtar policor, nën dyshimin se keqtrajtuan një qytetar derisa i njëjti ishte në stacionin e policisë.

Sipas IPK-së, rasti ka ndodhur më 18 qershor 2025 në orët e mbrëmjes në qendër të Gjilanit   pas raportimit të një incidenti paraprak dhe pas shoqërimit në polici të një qytetari i cili pretendon për tejkalim të autorizimeve policore dhe keqtrajtim nga dy zyrtarë policorë.

“Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore përfshirë shikimin e video-incizimeve të kamerave të sigurisë, identifikimin e dëshmitarëve të mundshëm”, thuhet në njoftim.

Më tej, shtohet se hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti./Klankosova.tv

IPK kërkon suspendimin e një rreshteri dhe një zyrtari policor në Gjilan

Vërejtje: Personi i përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.