Lajmet e fundit

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike, si dhe për posedim ose kontroll të paautorizuar të armës.
Rasti është raportuar më 31 gusht 2026, rreth orës 20:50, në daljen e Autostradës “Arbër Xhaferi”, në Bibaj.
Sipas Policisë, pas një pune intensive hetimore, më 2 shtator njësitë relevante kanë arrestuar dy të dyshuar, njëri shtetas i Shqipërisë dhe tjetri shtetas i Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë bastisjeve në dy lokacione në Ferizaj, një bodrum të një banese dhe një shtëpi banimi, të cilat dyshohet se shfrytëzoheshin dhe banoheshin nga të dyshuarit, janë gjetur dhe konfiskuar dëshmi të ndryshme materiale.
Në mesin e tyre janë rreth 5.5 kilogramë substancë narkotike, me vlerë të përgjithshme të tregut rreth 8 mijë euro, si dhe 2,250 euro dhe 18,500 lekë para të gatshme.
Policia ka konfiskuar gjithashtu një veturë me targa të Shqipërisë, një armë-pistoletë dhe pesë fishekë, një peshore digjitale, foli dhe qese transparente të dyshuara për paketim të substancave, dy telefona celularë, një USB, disa SIM-kartela, dy kartela bankare, një pasaportë dhe një çantë me dokumente të ndryshme.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.