18:30, 12 Shkurt 2019

Belgzim Kamberi nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në  Preshevë, ka thënë lidhur me idenë e shumëpërfolur të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, se atje ka dy ndjesi.

“E para është ajo e pritshmërisë. Që prej ngritjes së idesë e korrigjimit, ka një shpresë të bashkimit me Kosovës. Kjo natyrisht ka ngritur pritshmëritë te popullata shqiptare. Në anën tjetër është ndjesia e habisë nëse bashkimi mund të ndodhë”, ka thënë Kamberi, njofton Klan Kosova.

“Duket e pabesueshme dhe sigurisht pritshmëritë po rriten çdo herë e më shumë. Shumica dërrmuese presin zgjidhjen më të dëshirueshme: Bashkimin e Luginës me Kosovën”.

Kamberi ka deklaruar në Info Magazine se për këtë çështje përfaqësuesit politikë shqiptarë në Luginë nuk janë të unifikuar.

Për të marrëveshja finale Kosovë-Serbi është prej mundësive që çështja e Luginës të shtrohet në tavolinën e bisedimeve.

“Lugina është anashkaluar nga Rambujeja. Është injoruar edhe në Vjenë dhe shpresoj se këtë herë nuk do të shpërfillet”.

Ai ka shtuar poashtu se politikanët nga Kosova i kanë përdorur përfaqësuesit politikë nga Lugina.

“Edhe Prishtina i ka përdorur ngapak në momente të caktuara edhe për interesa personale që politikanët mund t’i kenë në Kosovë”.