Lajmet e fundit

Më 21 shtator, Partia Demokratike e Kosovës dorëzoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Mbrëmë, në “Rubikon” të Klan Kosovës, opinionisti Vahbi Kajtazi komentoi rreth kësaj nisme ligjore, të cilën ai e quajti jo të plotë, transmeton Klankosova.tv.
“I ka disa çështje të kushtëzuara në vetë propozimin. Duhet ta presim Apelin, por nëse Apeli vendos sikurse tash, atëherë të vijë në Gjykatën Supreme të Kosovës. Nuk shkojnë njëra me tjetrën”, u shpreh Kajtazi.
Sipas Kajtazit, ekziston rreziku real që Gjykata Kushtetuese e vetë Dhomave të Specializuara ta shfuqizojë çdo ndryshim ligjor që mund të votohet në Kuvendin e Kosovës.
“Unë mendoj se ata me urgjencë do ta aktivizojnë Gjykatën Kushtetuese për ta zhbërë secilin ndryshim ligjor në Kuvendin e Kosovës, dhe rrjedhimisht mund të vijmë në një situatë ku ndërkombëtarët do ta njohin vendimin e Gjykata Kushtetuese të Dhomave të Specializuara dhe të shpallet ‘nul’, dhe ata të mbeten në Hagë atje”, u shpreh ai.