Kadri Veseli: Nënë Tereza për mua është frymëzim për politikë të moralshme dhe të pakorruptuar - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kadri Veseli: Nënë Tereza për mua është frymëzim për politikë të moralshme dhe të pakorruptuar

NULL NULL
15/08/2019

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, sot ka vizituar kishën e Letnicës, ku Nënë Tereza e kishte marrë thirrjen për t’u bërë murgeshë.

Veseli ka thënë se Nënë Tereza është një udhërrëfyese dhe frymëzim për politikë të moralshme dhe të pakorruptuar, transmeton Klan Kosova.

“Në këtë kishë të Letnicës, 91 vjet më parë, erdhi vajza 17 vjeçare e Nikollë Bojaxhiut nga Prizreni dhe Dranafile Bernajit nga Novosella e Gjakovës, ku edhe mori thirrjen për t’u bërë murgeshë misionare. Ajo u bë pjesë e urdhrit të Motrave të Loretos, që kryenin misione humanitare në Indi”.

“Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, më vonë e njohur në gjithë globin si Nënë Tereza, është bija me e shquar e kombit tonë. Vepra e saj u shpërblye edhe me çmimin Nobel për Paqe si simbol i mirësisë njerëzore për punën e saj me më të varfrit. Ne jemi krenarë që më 4 qershor 2016 ajo u shenjtërua, sepse është një figurë e shtrenjtë për të gjithë shqiptarët, pavarësisht fesë”, ka shkruar Veseli në Facebook.

“Nënë Tereza është për mua edhe një udhërrëfyese që na frymëzon për një politikë të moralshme dhe të pakorruptuar, që na mëson si të shërbejmë me vetëmohim për të mirën e përbashkët të bashkëqytetarëve, popullit dhe vendit. Ajo na mëson se angazhimi publik është obligim shoqëror e jo profesion, që do të thotë se duhet të punojmë me përkushtim për të gjithë, veçanërisht për më të varfrit dhe nevojtarët”.