Kadaresë i dhurohet çmimi “Pak Kyong” në Korenë e Jugut

Kadaresë i dhurohet çmimi “Pak Kyong” në Korenë e Jugut

11 muaj më parë

Shkrimtari shqiptar me famë botërore Ismail Kadare ka fituar çmimin e njohur koreano-jugor të letërsisë “Pak Kyong” si mirënjohje për artin e vlera sociale.

“Kadare 83-vjeç, është një nga autorët më me ndikim në Evropë që nga debutimi i tij i parë në vitet ’60, shkruan Kult Plus, transmeton Klan Kosova.

Në vitin 2005 ai u bë shkrimtari i parë që mori çmimin “Man booker international” për punën e tij dhe ai është kandiduar shpesh edhe për çmimin “Nobel” për letërsi, shkruan gazeta “Korean Herald”.

Ai njihet për përdorimin e miteve dhe fabulave për të satirizuar regjimin komunist. “Nuk jam i vetmi që përdor imagjinatën për të shkruar. Satira praktikohet në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera komuniste”, tha ai duke iu referuar këtij zhanri si “një fantazi e përpunuar e historisë”.

Vlera e këtij çmimi është 100 milionë won (84 173 dollarë)

Sot është mbajtur ceremonia e ndarjes së këtij çmimi ndërkombëtar për Ismail Kadarenë në Seul të Koresë Jugore.

Kryetar i komisionit përzgjedhës Kim Uchang, tha se Kadare është një shkrimtar që do ta ngre edhe më lart këtë çmim, tani në vitin e nëntë që nga themelimi. Çmimi u krijua në vitin 2011 nga Fondacioni Kulturor Toji, për të nderuar shkrimtaren e ndjerë koreane Pak Kyongni.

“Jam me të vërtet krenar që marr këtë çmim, që mban emrin e zonjës së madhe të kulturës koreane dhe jo vetëm kaq por edhe të letërsisë, shpirtit dhe moralit të popullit tuaj. Ajo që më prek veçanërisht është dashuria e popullit korean për letërsinë dhe për përfaqësuesen e tij Pak Kyongni”, tha Ismail Kadare duke marrë çmimin.

Misteri më i madh i letërsisë botërore, tha shkrimtari, është fakti se si ajo ka mbijetuar për mijëvjeçarë të tërë, se si populli e ka mbrojtur atë, sepse kundër saj ka patur gjithmonë ushtri armike që kanë dashur ta shkatërrojnë çdo ditë.

“Unë vetë kam jetuar në një regjim shumë të vështirë i cili në kujtesën e njerëzve tani që ai është rrëzuar, ka mbetur si një kujtim i ferrit të Dantes”.

“Ka qenë një koincidencë shumë e çuditshme mes dy popujve tanë, popullit tim shqiptar dhe popullit tuaj korean. Sot në botë është shumë e rrallë që të ketë dy shtete që t’i përkasin një kombi. Në Evropë është pikërisht shteti evropian i Shqipërisë dhe shteti tjetër po ashtu evropian dhe ballkanik njëkohësisht”.

klankosova.tv