Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kadare, shkrimtari që vuri gjithmbarshmërinë shqiptare në raftet e bibliotekave të botës

NULL NULL
01.07.2024 09:47

Korriku i shqiptarëve u thye sot me ikjen nga jeta të shkrimtarit më të shpërblyer shqiptar në skenën botërore, Ismail Kadare.

Me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i listuar si ndër më të mirët e shekullit të shkuar, letërsisë shqipe iu hap përgjithmonë porta që çonte në Pallatin e Kritikës Letrare Perëndimore.

Veprat e tjera si “Prilli i thyer”, “Pallati i ëndrrave”, “Kështjella”, “Dosja H”, “Ura me tri harqe” dëshmuan kapacitetin shqiptar jo vetëm për të prodhuar tregim, por edhe për ta rrëfyer atë në shijen e stërholluar perëndimore.

Të qenët pakursyeshëm politik, por tejet i matur në mbështjelljen figurative të kritikës dhe vrojtimit të tij, e bën leximin e veprës së Kadaresë në Shqipërinë e lirë, një sfidë të pëlqyeshme të gjetjes së konteksteve dhe në të kuptuarit përtej dhe përfund asaj që ka shkruar.

Pedant në stil, fin në formë, Kadare në romanet e tij shpesh shkruante mjeshtërisht thjesht, dhe vetëm kush ka provuar të shkruajë vetë mund ta kuptojë se ç’zotësi duhet pasur të shkruash thjesht, por pasur.

Nënshkrimin e tij e gjejmë, ndër tjerash, në neologjizmat e tij, por hartën e gjithmbarshmërisë shqiptare, me të mirat e të këqijat e saj, me bukuritë e shëmtitë e saj, e gjejmë te opusi i Kadaresë porsi enciklopedi.

Kadareja vdiq sot, por do të ringjallet sa herë dikush nga secili cep bote të tërheqë një libër të tijin nga rafti ku rrinë emrat më të mëdhenj të letërsisë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.