Lajmet e fundit
Një mosmarrëveshje për shfrytëzimin e një pishine dhe lokali në Korishë të Prizrenit është kthyer në një përplasje të gjatë gjyqësore, ndërsa Rifat Thaçi pretendon se konflikti ka shkuar deri te një plan për vrasjen e tij.
52-vjeçari nga Caparci i Prizrenit dhe Sejdi Rexhaj nga Korisha, kanë pasur mosmarrëveshje për pronën dhe investimet. Sipas ekspertizës së ekspertit të ndërtimit, investimet që Rifati bëri në pishinë, lokal e oborr janë mbi 323 mijë euro. Megjithatë, gjykata vendosi në favor të 74-vjeçarit i cili kërkoi që Rifati të dëbohet nga prona e tij dhe të mos kompensohet për investimet që ka bërë.
Qiramarrësi e apeloi vendimin dhe rasti ende nuk ka marrë epilog përfundimtar. Ndërkohë, ai pretendon se pronari i tokës kishte ofruar 20 mijë euro për vrasjen e tij.
Një audio-incizim i siguruar nga Kiks Kosova përmban një bisedë ku flitet për një plan të tillë, ndërsa Sejdiu i ka mohuar këto pretendime. Edhe Besnik Ukaj, i cili e kishte denoncuar rastin në Polici, nuk pranoi të konfirmojë nëse është zëri i tij në incizim, duke thënë se përgjigjen do ta japë në gjykatë.
Ndërkaq, kontrata mes palëve, e cila ishte ndër provat kryesore në të cilat u bazua aktgjykimi i shkallës së parë, dyshohet se është falsifikuar.
Këtë ia ka konfirmuar emisionit Kiks Kosova, avokati Esat Gutaj, i cili e kishte përpiluar kontratën mes palëve.
Ai tha se fjalia “Çdo investim nuk kompensohet”, e shtuar me dorëshkrim në kontratë nuk është shkruar nga ai dhe se autenticiteti i saj mund të verifikohet nga organet kompetente.