23:31, 11 Qershor 2019

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker tha se  shtyrja e zgjedhjeve do të shtynte prespektivën europiane të Shqipërisë duke shtuar se njerëzit nuk duhet të ndalohen ta kryejnë këtë të drejtë demokratike.

Ndonëse refuzoi të ndërhyjë në debatin midis presidencës dhe mazhorancës në Shqipëri për 30 qershorin, Juncker tha se nëse zgjedhjet mbahen askush nuk duhet t’i ndalojë qytetarët të shprehin mendimin.

“Dua të theksoj, edhe pse është një çështje e vështirë, rëndësinë që ka uniteti politik në arritjen e qëllimeve të Shqipërisë. Të gjitha partitë politike në vend duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike. Zgjedhjet janë parashikuar për në fund të qershorit dhe qytetarët nuk duhet të pengohen të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike”.

“Nuk mund të bllokosh shprehjen e vullnetit të qytetarëve shqiptarë, prandaj mendoj, pa ndërhyrë në këtë debat të brendshëm, që zgjedhjet duhet të zhvillohen, përndryshe prespektiva europiane e Shqipërisë do të vonohet”.

Kryeministri Edi Rama nuk pranoi të flasë në Bruksel për konfliktin me Ilir Metën, por theksoi se ishte dakord me mendimin e shprehur nga Jean-Claude Juncker.

“Jam dakord me mendimin e presidentit të Komisionit Europian. Preferoj t’i qëndroj komentit të tij dhe të mos komentojmë deklaratën e presidentit të vendit. Do të kemi kohë më pas, kur të kthehem në Shqipëri. Ta lëmë për atje”, u shpreh Rama./ Top Channel

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë