Lajmet e fundit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me kundërshtimet ndaj projekteve të Komunës së Prishtinës, duke përmendur rastet e Universitetit të Prishtinës, Sunny Hill dhe Tulltores.
Në një postim në Facebook, Rama ka thënë se qeveria po përdor mekanizmat institucionalë për të penguar projektet e kryeqytetit.
“Ju vazhdoni me bllokada. Ne vazhdojmë me punë. Kur Tulltorja të hapet, jeni të mirëseardhur të mburreni edhe me të, përvojën nga Sunny Hill tashmë e keni”, ka shkruar Rama.
Ai ka përmendur edhe vendimin e Kuvendit të Kryeqytetit të 24 nëntorit 2022 për dhënien në shfrytëzim të pronës për Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke thënë se ky vendim ishte kundërshtuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Rama ka theksuar se Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2026, e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e ministrisë.
“Më pas, njëjtë kundërshtuan dhënien e tokës për Sunny Hill. Sot, po të njëjtit mburren me suksesin që e kundërshtonin. Tash, njëjtë po e kundërshtojnë Tulltoren”, ka shkruar ai.
Rama ka deklaruar se procedurat për Tulltoren janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe ka shprehur bindjen se ligjshmëria e vendimit do të dëshmohet edhe në këtë rast.
“Tash, njëjtë po e kundërshtojnë Tulltoren. Ta bëjmë një gjë të qartë, procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin. Ashtu si në rastin e Universitetit, do të dëshmohet edhe ligjshmëria e vendimit për Tulltoren. Ndërsa qëllimet tuaja do të demaskohen sërish para qytetarëve se si e përdorni pushtetin për të bllokuar çdo zhvillim! Vazhdojmë!”, u shpreh Rama./Klankosova.tv

