Lajmet e fundit

Japonia ka rritur ndjeshëm tarifat për të huajt që dëshirojnë të qëndrojnë në vend, ndërsa kostoja për aplikimin për lejeqëndrim të përhershëm është rritur 20-fish, në 200 mijë jenë, rreth 1 mijë 270 dollarë.
Përveç rritjes së tarifës, aplikantët për qëndrim të përhershëm duhet të plotësojnë edhe kërkesa të reja lidhur me të ardhurat, pagesat e pensioneve dhe njohuritë e gjuhës japoneze.
Rritja e tarifave ka shkaktuar radhë të gjata pranë zyrave të emigracionit. Në zyrën kryesore të emigracionit në Tokio, koha e pritjes për aplikantët ka kaluar shtatë orë, pasi shumë prej tyre nxituan të dorëzonin aplikimet përpara hyrjes në fuqi të tarifave të reja.
Masat janë pjesë e një sërë ndryshimesh në politikën e emigracionit të Japonisë nën kryeministren Sanae Takaichi, të cilat synojnë të menaxhojnë rritjen e shpejtë të numrit të shtetasve të huaj në vend, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Në korrik, Japonia zbatoi gjithashtu një rritje pesëfish të tarifave të vizave për të huajt, e para rritje e këtij lloji në 50 vjet. Autoritetet japoneze thanë se ndryshimi synon të pasqyrojë inflacionin dhe luhatjet e kursit të këmbimit.
Megjithëse emigracioni mbetet një çështje politikisht e ndjeshme dhe Japonia vazhdon të ketë një qasje relativisht kufizuese, vendi po mbështetet gjithnjë e më shumë te punëtorët e huaj për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore, të shkaktuar edhe nga plakja e popullsisë.
Në fund të vitit 2025, numri i banorëve të huaj në Japoni kaloi 4.12 milionë, duke shënuar një rekord të ri dhe një rritje prej 9.5% krahasuar me një vit më parë.
Menaxhimi i emigracionit është kthyer në një nga prioritetet kryesore të qeverisë së Takaichit që prej marrjes së detyrës në tetor të vitit të kaluar.