Japoni, shënohet viktima e parë e punëtorëve nga rrezatimi - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Japoni, shënohet viktima e parë e punëtorëve nga rrezatimi

NULL NULL
05/09/2018

Japonia ka zyrtarizuar vdekjen e parë të një punonjësi të impiantit bërthamor të Fukushimës, si pasojë e ekspozimit ndaj rrezatimit. Viktima, një burrë rreth të 50-ave, ndërroi jetë nga tumori në mushkëri, që iu diagnostikua në vitin 2016.

Qeveria japoneze kishte pranuar më herët se rrezatimi kishte shkaktuar sëmundje të rënda në 4 prej punonjësve, por ky i sotmi është rasti i parë i humbjes së jetës.

Reaktori i Fukushimës pësoi defekte të rënda pas tërmetit me magnitudë 9 sipas shkallës Rihter, si dhe cunamit që e pasoi atë në mars të vitit 2011. Sistemet e ftohjes dolën jashtë funksioni në impiant asokohe, ndërsa prej andej rrodhën materiale radioaktive duke prekur brigjet verilindore të Japonisë.

Punonjësi që ndërroi jetë kishte punuar në stacionet e energjisë atomike që prej vitit 1980 dhe ishte me detyrën e matjes së rrezatimit në impiantin numër 1 të Fukushimës, pas dëmtimeve që pësoi ai.

Ai punoi aty të paktën dy herë pas dëmtimit të tij, duke u futur me maskë në fytyrë dhe një veshje mbrojtëse në trup, sipas Ministrisë japoneze të Shëndetit, Punësimit dhe Mirëqenies.

Pasi u konsultua me opinionet e një paneli radiologësh dhe ekspertësh të tjerë, Ministria në fjalë vendosi se familja e burrit duhej të kompensohej.