Ja si do të rivarrosen eshtrat e Isa Boletinit - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ja si do të rivarrosen eshtrat e Isa Boletinit

NULL NULL
01/06/2015
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur një grup përfaqësuesish të pasardhësve të familjeve të  njohura atdhetare, si ajo e Isa Boletini, Hasan Prishtinës, Haxhi Zekës, Azem e Shota Galicës, Idriz Seferit, Mehmet Drallës me të cilët bisedoi rreth përgatitjeve të ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të Isa Boletini.

Kryetari Bahtiri tha se rivarrimi i eshtrave të heroit Isa Boletini po bëhet në Boletin, falë këmbëngulësisë së familjes së heroit, kërkesës unanime të qytetarëve të Mitrovicës, mbështetjes së intelektualëve mitrovicas, shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe shoqërisë civile nga Mitrovica e më gjerë.

“Qëndrimin tim të palëkundur e të drejtë, se rivarrimi i heroit Isa Boletini, në Boletin, e jo në Vlorë, e mbështetën unanimisht qytetarët e Mitrovicës, Kosovës e më gjerë dhe falë kësaj, edhe Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, më vonë u pajtuan”, tha Bahtiri.

Kryetari Bahtiri, gjithashtu ka kërkuar nga drejtorët e komunës së Mitrovicës angazhim të pa kursyeshëm në këtë drejtim, me qëllim që të gjitha detyrat dhe obligimet që dalin nga pjesa e ceremonisë të kryhen si duhet, me kohë dhe pa shtyrje.

“Qyteti duhet të shkëlqej, të jetë i dekoruar me lule, flamuj dhe i mirëmbajtur, duhet të jetë hapësira e gjerë në rrugëtimin që do bëjë eskorta përcjellëse, ne do të organizojmë përcjellje me grupin e kalorësve të veshur në rroba kombëtare, duhet të përcaktojmë vendin ku do bëhen homazhe, por të gjitha detyrat duhen kryer më kohë”, tha Bahtiri, duke shtuar se ceremonia do te jetë madhështore.

Ndërsa gjatë vizitës që familjarët e atdhetarëve i bënë kryetarit Bahtiri, ata i dorëzuan 12 piktura të figurave të njohura kombëtare, si dhuratë për Kullën Muze të Isa Boletinit në Boletin.
Gazmend Boletini, stërnip i Isa Boletini, njoftoi se, nga një anëtar, nga secila familje e figurave të njohura atdhetare nga vendi,  do të marrin pjesë në ceremoninë e nisjes së rrugëtimit të eshtrave të heroit Isa Boletini, si dhe në rivarrimin në Boletin.

Ai tha se eshtrat e heroit Isa Boletini, do të nisen nga Vlora, për të kaluar pastaj dhe ndalur në Tiranë, Prizren, Deçan, Prekaz, Prishtinë, për të arritur në Mitrovica, ku në stadiumin “Adem Jashari”, do të mbahet  ceremonia kryesore.

Nga këtu, eshtrat e heroit do të vendosen në oborrin e kompleksit të kullave të tij, në Boletin, me përcjellje të Policisë.