Lajmet e fundit

Të shohësh të afërmit e ndjerë, një dritë të bardhë apo dyer të hapura janë ndër përvojat më të zakonshme që njerëzit raportojnë në ditët e fundit të jetës, sugjeron një studim i ri.
Studiuesit italianë analizuan dëshmitë e profesionistëve të kujdesit paliativ dhe zbuluan se pacientët me sëmundje terminale shpesh përjetojnë ëndrra dhe vizione të gjalla, të cilat në shumicën e rasteve përshkruhen si qetësuese dhe ngushëlluese, e jo frikësuese.
Një nga temat më të shpeshta ishte takimi me persona të dashur që kanë ndërruar jetë - bashkëshortë, prindër, të afërm apo edhe kafshë shtëpiake. Disa pacientë përshkruanin gjithashtu drita të forta, shkallë, pragje dhe dyer të hapura, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv.
Studiuesit besojnë se këto ëndrra dhe vizione mund t’i ndihmojnë njerëzit të përballen me frikën, shpresat dhe emocionet që lidhen me fundin e jetës.
Megjithatë, rreth një në dhjetë përvoja ishte shqetësuese, ku pacientët raportuan imazhe të frikshme. Sipas studiuesve, këto raste mund të lidhen me dhimbje fizike, trauma apo konflikte emocionale të pazgjidhura.
Studimi u publikua në revistën shkencore Death Studies dhe i shtohet kërkimeve të mëparshme që tregojnë se ëndrrat me të afërm të ndjerë bëhen më të shpeshta me afrimin e fundit të jetës.