17:25, 9 Janar 2019

Në Kosovë janë raportuar 17.119 raste të dyshimta me grip sezonal, 2.9148 raste të infeksioneve respiratore akute dhe 16 raste të rënda respiratore akute.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, (IKSHPK) nga 1 tetori i vitit të kaluar deri më 9 janar të 2019-ës deklaron se ka përcjell ecurinë epidemiologjike të gripit sezonal në tërë territorin e Republikës së Kosovës duke intensifikuar punën në terren.

“Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe. Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës. Prizrenit dhe Podujevës nga muaji tetor ka pasur rritje të lehtë përgjatë muajve pasues nëntor dhe dhjetor por nuk kalon pragun epidemik”, shkruhet në komunikatën e dërguar nga IKSHPK-ja.

Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit – IKSHPK deri më 9 janar 2019 janë testuar gjithsej 76 mostra të dyshimta në grip, ku sot është konfirmuar një rast pozitiv në Influencën A , njofton Klan Kosova.

Instituti Kombëtar deklaron se tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale, që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve, dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.

“Aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë, ekziston mundësia e rritjes së rasteve”, thuhet më tej në kumtesën e IKSHPK-ës.

Konkurs Pune

Lexo më shumë