Italia jep donacion për fëmijët me anomali në zemër (VIDEO) - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Italia jep donacion për fëmijët me anomali në zemër (VIDEO)

NULL NULL
05/08/2022

Fëmijët me anomali në zemër do të marrin shërbime më cilësore në SHSKUK, tani e tutje.

Kjo meqë Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës të premten mori pajisje të reja nga KFOR-i italian, njofton Klan Kosova.

Sipas të parit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, mjetet do të rrisin kapacitetet shëndetësore, sidomos shërbimet në fushën e kardiologjisë për të vegjlit.

“Tash do të sigurojnë trajnimin e kirurgëve, anesteziologëve, infermierëve dhe infrastrukturën për pajiset e nevojshme për shërbimet që kemi nevojë në Kosovë. Këto trajnime do të fillojnë gjatë këtij viti”, tha Latifi.

E italianët zotohen se do ta mbështesin gjithmonë sistemin shëndetësor në Kosovë.

“Përveç Klinikës Kirurgjike Kardiologjike, përkushtimi jonë prek edhe fusha të tjera si Laboratori Biologjik më 2020, kemi investuar në punimet e vrazhda në objekte, dhe kemi ndihmuar me pajisje dhe material shpenzues në QKUK”, tha Antonello De Rio, Ambasadori i Italisë në Kosovë.

Bashkëpunimi sipas përfaqësuesit të KFOR-it italian Luca Piperni, do t’i forcojë edhe më tej lidhjet me shtetin më të ri të Evropës.

“Donacioni i sotëm është për të përmirësuar sistemin shëndetësor në Prishtinë, duke ia mundësuar Qendrës Klinike Universitare që të ketë pajisjet esenciale”, tha Piperni.

Donacioni dedikohet për Klinikën e Pediatrisë dhe kap vlerën e 50 mijë eurove.