8:32, 22 Shtator 2019

Nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka folur rreth koalicioneve të mundshme pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Ai është shprehur i bindur se koalicioni AAK-PSD, do t’i fitojë zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa LDK-në e sheh si partnere të koalicionit paszgjedhor, me të cilën synojnë edhe të udhëheqin qeverinë.

“Shikuar nga e kaluara të gjitha partitë politike disi janë deklaruar që me PDK-në, meqë ka qenë gjatë në pushtet nuk jemi të gatshëm të bëjnë koalicion dhe Aleanca normal e ka një distancë edhe për shkak të prishjes së koalicionit tani. Poashtu me Vetëvendosje ata qysh me kohë me rastin e dhënies së dorëheqjes së Haradinaj treguan se nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne neve. Me LDK-në ka në një far forme një afri më të madhe ndoshta kjo varet krejt nga rezultati i zgjedhjeve, që do të dalin megjithatë ne vija të kuqe nuk do të kemi”, thotë ai.

Megjithatë, thotë se kusht kryesor për partneritet me këtë parti, do të jetë taksa ndaj mallrave serbe.

Ish-kryetar i grupit parlamentar të AAK-së, në legjislaturën e fundit, thotë se ky do të jetë parim i pakapërcyeshëm.

“Sa i përket taksës, taksa nuk do të hiqet dhe ne do të jemi në qeveri dhe do të bëjmë koalicion me atë parti e cila është e gatshme të mos e heq taksën. Koalicioni lidhet me  këtë parim edh e disa parime që kanë të bëjmë me disa vendimet e interesave të vendit”, ka thënë Isufi për EO.

Madje thotë se nuk do t’i binden asnjë llojë presioni pavarësisht nga kush vjen ai.

“Ne kemi pas edhe në të kaluarën presione të ndryshme për të ndryshuar qëndrimet e tona, por qëndrimet për lirinë pavarësinë, për shtetin e Kosovës nuk ka mund të na i ndryshojë askush. Prandaj ne taksë i kemi vu Serbisë e cila ka lobuar dhe po lobon kundër Kosovës, me tregun e Kosovës po blen armë në Rusi dhe ne nuk e lejojmë një gjë të tillë”, thotë ai.

Ahmet Isufi nënkryetarë i AAK-së është shprehur  që në Qeverinë e udhëhequr nga ta do ta pranojnë vetëm dialogun i cili do të rezultojë me një marrëveshje për njohje reciproke dhe në asnjë mënyrë nuk do të hynë në dialog që hap tema që e dëmtojnë sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Sa i përket dialogut ne dialogun e pranojmë vetëm me një marrëveshje ndërkombëtare obligative ligjore e cila e detyron Serbinë ta njohë pavarësinë e Kosovës. Në këtë drejtim ne jemi për dialog por një dialog që rezulton me marrëveshje për njohje reciproke. Nuk jemi të gatshëm të hymë me tema të cilat e kanë dëmtuar Kosovës   ose që mund ta dëmtojnë në të ardhmen. Ne mbrojmë interesin e Kosovës sovranitetin, integritetin e vendit  dhe nuk lejojmë që të futen tema mund të cenojnë diçka nga përmbajtja e substancës së Kosovës”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit do të garojë në koalicion me Partinë Socialdemokrate, ku në parim ky koalicion është parë si jo i natyrshëm për shkak të orientimeve programore, pasi AAK-ja është parti e qendrës së djathtë, kurse PSD-ja parti e majtë.

Por, sipas nënkryetarit të AAK-së, ky koalicion është pritur mirë në elektorat dhe po mbështetet edhe për shkak të bashkëpunimit të mirë që e kanë pasur sa PSD-ja ishte në opozitë.

“Koalicioni AAK-PSD është pritur shumë mirë në elektorat për shkak se edhe pse ka qenë PSD-ja në opozitë kanë përkrahë disa vendime të mëdha që i ka marrë zotri Haradinaj në qeverisje që kanë qenë në interesin e vendit poashtu edhe qeveria në krye me zotin Haradinaj disa nga iniciativat që i ka marrë Partia Socialdemokrate sidomos disa ligje që kanë pasur të bëjnë me temat e mirëqenies sociale i ka pranuar dhe ka qenë një bashkëpunim paraprak në distancë por që nga qytetarët si koalicion është pritur shumë mirë”, përfundoi ai.

Konkurs Pune

Lexo më shumë