Ismaili i kundërpërgjigjet Mustafës, i përmend fakte për Asociacionin - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ismaili i kundërpërgjigjet Mustafës, i përmend fakte për Asociacionin

NULL NULL
05/09/2018

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, i është kundërpërgjigjur kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës.

Ky i fundit përmes një postimi në Facebook ka thënë se Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe nuk e ka themeluar ai, as LDK-ja.

Sipas Mustafës, “vendimi për themelimin e Asociacionit lindi me Marrëveshjen e Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e marrëdhënieve, të datës 19 prill 2013, të nënshkruar nga Hashim Thaçi, në emër të Kosovës dhe nga Ivica Daçiq, në emër të Serbisë”.

Por sipas Ismailit, Mustafa po “thotë gjysmë të vërteta në mënyrë që të prodhojë një të pavërtetë të madhe”.

“Mirëpo Isa Mustafa në një përpjekje për t’u shfajësuar për dëmin që ka bërë, nuk tregon se Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar vetëm marrëveshjen e nënshkruar nga ai. Ndërkohë që Marrëveshja e parë është edhe sot në harmoni të plotë me frymën kushtetuese”.

“Në përpjekjen e tij për të fshehur shkeljen e rëndë që i ka bërë Kushtetutës së vendit, Isa Mustafa thotë se nuk ka asnjë dallim mes këtyre dy marrëveshjeve. Kjo poashtu është një e pavërtetë e pastërt sepse Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj thotë se marrëveshja e Isa Mustafës i jep Asociacionit kompetenca ekzekutive”, ka shkruar Ismaili në Facebook.

Më poshtë statusi i plotë i Uran Ismailit në Facebook:

Një përgjigje ndaj kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, me fakte, e jo me gjuhën e përdorur nga ai:

Isa Mustafa paska thënë se Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe nuk e ka bërë ai, por Hashim Thaçi. Ai po thotë gjysmë të vërteta në mënyrë që të prodhojë një të pavërtetë të madhe. Është e vërtetë se për Asociacionin ka dy marrëveshje, ajo e 19 Prillit 2013 dhe e 25 gushtit 2015.

Mirëpo Isa Mustafa në një përpjekje për t’u shfajësuar për dëmin që ka bërë, nuk tregon se Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar vetëm marrëveshjen e nënshkruar nga ai. Ndërkohë që Marrëveshja e parë është edhe sot në harmoni të plotë me frymën kushtetuese.

Në përpjekjen e tij për të fshehur shkeljen e rëndë që i ka bërë Kushtetutës së vendit, Isa Mustafa thotë se nuk ka asnjë dallim mes këtyre dy marrëveshjeve. Kjo poashtu është një e pavërtetë e pastërt sepse Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj thotë se marrëveshja e Isa Mustafës i jep Asociacionit kompetenca ekzekutive.

Gjykata ka ardhur në përfundim se marrëveshja e parë, e nënshkruar nga Hashim Thaçi, nuk i jep Asociacionit kompetenca ekzekutive, ndërkohë që marrëveshja e dytë, e nënshkruar nga Isa Mustafa, e bën Asociacionin nivel të tretë qeverisës në vend. Gjykata Kushtetuese, që është autoriteti më i lartë i interpretimit të Kushtetutës së Kosovës demanton fuqishëm Isa Mustafën.

Të gjitha këto vendime Gjykata Kushtetuese i ka sanksionuar në Aktgjykimin e saj për Rastin nr. K0130/15 të publikuar më 23 dhjetor 2015. Të gjithë ata që kanë dyshime mund t’i lexojnë vetë marrëveshjet dhe vendimin e Gjykatës dhe ta shohin me sytë e tyre se si Isa Mustafa mundohet t’u hedhë hi syve dy milionë kosovarëve.

Por kjo e pavërtetë e tij nuk duhet ta befasojë askënd. Ka kohë që LDK-ja është duke u munduar të hedhë fajin për shkeljet dhe gabimet e veta tek dikush tjetër. E këtë nuk do ta lejojmë. LDK-ja po tregon edhe një herë se nuk është në gjendje të marrë përgjegjësi as për gabimet kardinale në të kaluarën, e as për proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

E qytetarët e Republikës tonë e dinë se është po kjo LDK që solli një asociacion me kompetenca anti-kushtetuese.

Qytetarët e Republikës së Kosovës nuk kanë harruar se është po kjo LDK që e pamundësoi transforminin e FSK-së në ushtri të plotë. A mos po gënjejmë edhe këtu?

E mbetur pa kredibilitet udhëheqës nga gabimet e rënda në të kaluarën, sot është më se e qartë se kjo parti vuan nga mungesa e guximit për të marrë pjesë në procesin e ardhshëm dhe më të rëndësishëm që nga shpallja e pavarësisë.

Prandaj ajo është e detyruar të zgjedhë të pavërtetën dhe fajësimin e tjerëve si mënyrat e vetme për t’u ikur detyrimeve kombëtare e shtetërore. Fatkeqësisht, PDK-ja nuk mund ta bëjë LDK-në më të përgjegjshme, por mund t’i demaskojë të pavërtetat e saja publike, mu si në këtë postim.

Të pavërtetat nuk do t’i lejojmë. Secili duhet të përballet me të bëmat e veta. Isa Mustafa dhe LDK-ja nuk bëjnë përjashtim.