Lajmet e fundit

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Ferizaj, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtari Ilir Bytyqi, e ka shpallur fajtor ish-policin Festim Ramadanin për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Ramadani është dënuar me 16 vjet burgim, raporton Klankosova.tv.
Sipas aktgjykimit, në dënimin e Ramadanit do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 16 gushti 2024. Dënimi do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Sipas akuzës, ngjarja kishte ndodhur më 16 gusht 2024, rreth orës 19:21, në parkingun e oborrit të restorantit “F. Palace”, në fshatin Bibaj të Komunës së Ferizajt, gjatë një ceremonie martesore.
Festim Ramadani akuzohej se, sipas Prokurorisë, me dashje dhe paramendim, për motive të pretenduara familjare, kishte shtënë me breshëri plumbash në drejtim të viktimës S.S., duke e privuar atë nga jeta në vendin e ngjarjes.
Në aktakuzë thuhej se ngjarja kishte ndodhur në prani të dhjetëra personave, përfshirë edhe të mitur, ndërsa sipas akuzës ishte përdorur një armë zyrtare automatike e policisë.
Gjykata ka vendosur gjithashtu që Festim Ramadanit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar.
Të dëmtuarit, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, janë udhëzuar në kontest civil.
Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.