20:22, 11 Janar 2019

Presidenti i një shteti që funksionon me demokracinë kushtetuese parlamentare nuk guxon të bëjë vlerësime politike me rastin e dekretimit.

Kështu thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, në lidhje me mosdekretimin e Gent Cakajt si Ministër në Qeverinë e Shqipërisë.

Hasani pohon se Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, duhet të marrë përgjegjësi vetëm për pjesën ligjore dhe jo atë politike, të dekretimit ose jo të një ministri.

“Shefi i shtetit, unë besoj ka mangësi të thella në pjesën që i takon vlerësimit politik dhe presidenti merr përgjegjësi vetëm sa i përket pjesës ligjore, vlerësimit të pjesës ligjore. Pse është kjo kështu? Në demokracitë kushtetuese parlamentare, siç janë Shqipëria, Kosova dhe gjitha tjera përreth, shefi i shtetit, Presidenti, nuk mund të bëjë vlerësime politike me rastin e dekretimit, ose vlerësime politike me rastin e dekretimit, ose vlerësime që nuk kanë natyrë formale ose ligjore, sepse ai nuk është ndarës i pushteteve dhe nuk i takon asnjërit prej tri pushteteve të ndara, por është balancues i tri pushteteve të ndara një prej balancuesve. Shefi i shtetit, Gjykata Kushtetuese, agjencionet dhe institucionet e pavarura, janë organe që i balancojnë tri pushtetet në mënyra të ndryshme”, shprehet ish kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani.

Ai e sheh të rregullt mosdekretimin e Gent Cakaj nëse bazohet vetëm në mungesën e Certifikatës së Sigurisë dhe mungesave tjera ligjore. Por, nuk pajtohet me deklarimet e Metës sa i përket çështjes politike të Cakajt.

“Në aspektin politik u referohem deklaratave të natyrës politike që kanë të bëjnë me deklarimet e kandidatit për ministër, kurse për ligjore i referohemi Certifikatës të sigurisë, që sipas asaj që ka gjetur Presidenti thotë se nuk e ka. Në këtë kuptim mendoj që në demokraci kushtetuese parlamentare, as Shqipëria as vendet tjera përreth nuk mund të jenë objekt i vlerësimit politik të presidentit të shtetit”, tha Hasani për Ekonomia Online.

“Ky kandidat nuk i ka plotësuar këto kushte, siç është Certifikata e sigurisë dhe për atë është përgjegjës dhe e merr përgjegjësinë, por jo duke bërë vlerësime politike, qoftë në dekret, qoftë pas tij”, shtoi Hasani.

Sa i përket procedurës ligjore, Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare thotë se kreu i shtetit mund të kërkojë mënjanimin e shkeljeve që i ka hasur gjatë dekretit.

“Shefi i shtetit mund ta kthejë prapa, të kërkojë mënjanimit të shkeljeve ligjore dhe kushtetuese që janë bërë gjatë propozimit , vetëm ato. Do të thotë, propozuesi – në këtë rast Qeveria – duhet t’i mënjanojë ato”.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, të enjten ka refuzuar propozimin për emërim të Gent Cakaj si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Gent Cakaj u propozua të emërohet nga kryeministri Edi Rama në postin që e mbante Ditmir Bushati.

 

Konkurs Pune

Lexo më shumë