18:05, 15 Mars 2019

Ish-ambasadori i Kosovës në Zelandë të Re, Sabri Kiçmari ka thënë se është i shokuar nga rasti i sulmit terrorist të ndodhur sot në një xhami ku mbetën të vdekur 49 persona.

Diplomati Kiçmari në Info Magazine potencoi se Zelanda e Re ka një shoqëri shumë miqësore me të huajt, ndaj dhe ky sulm nuk ka të bëjë asgjë me shoqërinë e atij vendi, njofton Klan Kosova.

”Jam i shokuar, befasi  e madhe që diçka e tillë ka ndodhur në Zelandën e Re. Përvoja ime në atë shtet në atë shoqëri është tjetër”.

”Është një shoqëri shumë miqësore ndaj të huajve, kjo nuk ka të bëjë asgjë me shoqërinë e Zelandës së Re”.

”Kam jetuar gjatë punës sime profesionale në pesë shtete të ndryshme, por Zelanda e Re është shteti më miqësor në raport me të huajt. Në Zelandën e Re nuk e ndjen fare veten të huaj”.

”Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës që ta kuptojnë si një rast të veçuar nga një person me urrejtje patologjike i cili ka bërë një plan për të destabilizuar këtë raport të shkëlqyeshëm të Zelandës së Re”.

”Shoqëria e Zelandës së Re do ta përballojë qetë këtë situatë duke iu bërë ballë këtyre veprimeve terroriste”.

”Qëllimi i aktit terrorist është të krijojë një lloj paniku në këtë ambient kaq miqësor ndaj myslimanëve dhe grupeve të tjera religjioze që ka Zelanda e Re”.

Ndonëse deri tani nuk ka të raportuar për viktima shqiptare, Kiçmari ka kërkuar nga qytetarët kosovarë të cilët gjenden atje, që për secilin rast të lajmërohen në numrin emergjent të shpallur, njofton Klan Kosova

”Bëhet fjalë për një plan të përgatitur me kujdes për dy vjet me radhë, një akt makabër të paparë në këtë nivel të cilin mund ta ndërmarrin vetëm  njerëz të pushtuar nga çmenduria religjioze dhe politike”.

”Ky akt do të arrijë vetëm efekte të kundërta. Në qytetin e sulmit të ndodhur ka tre familje shqiptare por mundësitë që nga qytetarët tanë të jenë në shënjestër të këtij sulmi janë minimale”.

”Nuk kam arritur të kontaktojë askënd por mundësitë janë minimale. Qytetarët tanë i ftojë të njoftojnë për çdo rast në numrin emergjent dhe të raportojnë për çdo rast të mundshëm”.

”Në historinë e Zelandës së Re nuk ka ndodhur një rast i tillë kaq makabër”.

Konkurs Pune

Lexo më shumë