Isa Mustafa: Nëse LDK e drejton Qeverinë, do të hiqet reciprociteti - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Isa Mustafa: Nëse LDK e drejton Qeverinë, do të hiqet reciprociteti

NULL NULL
20/04/2020

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se nëse qeveria e ardhshme drejtohet nga LDK-ja, atëherë masa e reciprocitetit ndaj Serbisë do të hiqet.

Mustafa në një konferencë për media ka thënë se kjo është në një mënyrë edhe një premtim i dhënë të Dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun ambasadorit Richard Grenell, njofton Klan Kosova.

“Sa i përket ambadadorit [Richard] Grenell mund të them se i kemi premtuar, edhe këtu kur ka qenë në LDK, se ne do të pajtohemi që të hiqet tarifa dhe të hiqet pa kushte për një periudhë dhe po ashtu që ne presim që njëjtë të sillet edhe Serbia – që t’i heqë të gjitha pengesat karshi Kosovës, përfshirë edhe fushatën që po e bën kundër njohjeve të Kosovës”.

“Po ashtu kemi biseduar për faktin se nëse Serbia nuk i bjen në zero të gjitha pengesat e saj, atëherë ne do ta instalojmë reciprocitetin si bazë ligjore, sepse një çështje e tillë është përcaktuar edhe me ligje të Kosovës”.

“Për të qenë i qartë: Jam i sigurt se në momentin që LDK-ja do ta drejtonte një qeveri, atëherë hapat e parë të kësaj qeverie do të ishin që reciprociteti të hiqej. Por, jo të hiqet për të mos u vendosur kurrë, por të hiqet si vullnet i mirë për të filluar dialogu. Nëse më vonë shihet që Serbia nuk po vepron njëjtë të kthehet një reciprcitet i plotë edhe ekonomik edhe politik”.

Por, a është vetë Isa Mustafa kandidat potencial për kryeministër në qeverinë LDK-AAK-Nisma?

“Nuk e kemi diskutuar në struktura të partisë. Do të bëj përpjekje maksimale që të bëhet një zgjidhje që është më e mira për LDK-në. S’e kemi diskutuar fare”.

“Sot s’po them asgjë, së pari duhet ta bisedoj me njerëzit brenda subjektit. Ajo që unë dëshiroj është që të kemi një kandidat i cili do të përballojë të gjitha sfidat që do të paraqiten”.

“Sikur do të kisha vullnet do ta kandidoja veten edhe kur është kandiduar Avdullah Hoti në vitin 2017, edhe në vitin e kaluar kur është kandiduar Vjosa Osmani. Kam parë arsye që të bëjmë disa ndryshime dhe freskime në LDK”.