Intervista e plotë me Miroslav Lajçak në Rubikon: Tregon se si do ta udhëheqë dialogun - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Intervista e plotë me Miroslav Lajçak në Rubikon: Tregon se si do ta udhëheqë dialogun

NULL NULL
15/04/2020

I Dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për herë të parë ka dhënë intervistë për një media shqip.

Ai ekskluzivisht në Rubikon të Klan Kosovës shpalosi planin e tij për udhëheqjen e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.

Intervistën e plotë të titruar mund ta gjeni më poshtë:

Na thuani çfarë do të jetë roli juaj saktësisht? Deri tashti Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme i  Bashkimit Evropian e ka kryer këtë detyrë. Çfarë do të jetë ndryshe tash e tutje?

“Siç e dini shumë mirë, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë udhëhiqet nga Bashkimi Evropian dhe bie nën portofolin e Përfaqësuesit të Lartë për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë. Ajo çfarë ndryshon me emërimin tim është se tani Bashkimi Evropian e ka një person politik i cili do të jetë përgjegjës për këtë dialog 24 orë, 7 ditë në javë. Unë nuk do të kursej kohë, mund dhe energji për t’u siguruar që ta  përfundojmë me sukses këtë proces, i cili ka filluar në vitin 2011”.

“Pra, për herë të parë është një person politik, që është përgjegjës me orar të plotë për këtë dialog dhe do të thosha që emërimi im në këtë pozitë dërgon një sinjal të fuqishëm nga Bashkimi Evropian që status quo-ja nuk është e pranueshme dhe vërtet duam ta shtyjmë këtë proces përpara dhe ta përfundojmë me sukses”.

“Deri tani ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian nuk patën sukses në arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes dyja palëve. Ashtu siç e përmendët edhe ju, dialogu ka filluar në vitin 2011, kishte tre ndërmjetësues duke filluar me zotëri  (Robert) Cooper, zonja (Catherine) Ashton dhe e fundit zonja (Federica) Mogherini, por shumë marrëveshje janë arritur dhe shumë prej tyre nuk janë duke u implementuar”.

“E para, dialogu ka rezultuar në numër të madh rezultatesh konkrete, rezultate të cilat e kanë përmirësuar jetën e qytetarëve. Më lejoni të përmendi marrëveshjen për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, integrimin e Kosovës në struktura rajonale, kodin ndërkombëtar të thirrjeve për Kosovën, integrimin e policisë, gjykatësve, prokurorëve serbë në sistemin e Kosovës e kështu me radhë”.

“Në të njëjtën kohë, ka marrëveshje të cilat janë arritur por nuk janë implementuar ende. Ne duam të shohim nga afër se çfarë është arritur, por nuk është implementuar dhe përse. Sepse ekziston një parim ndërkombëtar, një parim i marrëdhënieve ndërkombëtare i cili quhet ‘pacta und servanda”, që nënkupton se ajo që është arritur duhet të implementohet. Në të kundërtën, dështimi është dështim i të dyja palëve dhe suksesi është sukses i të dyja palëve dhe dua që ky proces të jetë një sukses”.

“Unë po e sjell në këtë proces përvojën time personale si dikush që ka punuar shumë për integrimin e vendit tim në Bashkimin Evropian, unë po e sjell njohurinë për Bashkimin Evropian, po e sjell njohurinë për rajonin dhe siç thashë, ky është një mandat me orar të plotë për mua dhe vërtet shpresoj që me ndihmën e partnerëve të mi do ta përfundojmë me sukses”.

“Nisëm më 2011, vitin tjetër bëhen 10 vjet që nga fillimi i këtij procesi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Tani është vërtet koha që ta përfundojmë me sukses”.

Cilat janë pengesat kryesore për implementimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur deri tashti?

“Nga të dyja palët thuhet se ana tjetër nuk është duke e implementuar pjesën e vet të marrëveshjes. Ashtu siç e thashë, jam duke e shfrytëzuar këtë kohë, kur jemi të gjithë të mbyllur në shtëpi, që t’i analizoj në detaje marrëveshjet e mëparshme dhe po e diskutojmë me ekipin tim se çfarë është bërë, çfarë nuk është bërë dhe përse. Dhe kur ta kemi mundësinë të takohemi bashkë me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, do t’i analizojmë këto marrëveshje dhe do të analizojmë përse këto marrëveshje, të cilat ende nuk janë zbatuar plotësisht, kanë ngecur, dhe çfarë duhet të bëhet që ato të implementohen”.

“Kështu që nuk do të dërgoj ndonjë mesazh në këtë mënyrë (përmes skype), por definitivisht, ajo që është arritur duhet të implementohet. Dhe të mos harrojmë; marrëveshjet nuk janë diskutuar dhe nënshkruar për vetveten (njëanshëm) por ato duhet të përmirësojnë raportet mes Kosovës e Serbisë, ato duhet të ndihmojnë Kosovën dhe Serbinë në rrugën e tyre evropiane dhe ato duhet të përmirësojnë jetën e qytetarëve, që është gjëja më e rëndësishme”.

“Dhe këto marrëveshje që janë duke u zbatuar, po tregojnë qartë që janë duke e përmirësuar jetën e qytetarëve. Një shembull është qarkullimi i mirë i mallrave që nga 1 prilli, dhe bashkëpunimi i mirë në luftën kundër COVID-19″.

Zotëri Lajçak, edhe paraardhësit tuaj kishin qëllim t’i shtyjnë palët të implementojnë marrëveshjet. Çfarë do të bëni ju ndryshe, pos që do të kaloni 24 orë në 7 ditë të javës, duke u marrë me këtë çështje? A do të thotë kjo se ata që ishin më parë nuk patën kohë të mjaftueshme për t’u marrë me dialogun, sepse kishin edhe detyra tjera?

“Unë jam plotësisht i sigurt se çdokush që është pjesë e këtij dialogu, është shumë i përkushtuar në këtë dialog dhe ne do të analizojmë atë, siç thashë më parë. Unë nuk besoj në lojën për hedhje të fajit te tjetri. Ne do të analizojmë përse disa nga marrëveshjet nuk janë duke funksionuar, dhe çfarë duhet të bëhet që të fillojnë të funksionojnë. Unë jam optimist për këtë”.

Dhe si e krahasoni punën tuaj me punën e ambasadorit Grenell? Këtë vit, ju jeni ndërmjetësuesi nga BE-ja dhe e kemi atë, që quhet i dërguari i posaçëm për bisedimet për paqe mes Kosovës dhe Serbisë.

Si do të bashkëpunoni ju dy dhe a keni ndonjë agjendë për këtë? A keni biseduar me ambasadorin Grenell?

“Ka vetëm një dialog, i cili udhëhiqet nga Bashkimi Evropian dhe është miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Ky dialog ka objektiva shumë specifike, të promovojë bashkëpunimin, të përmirësojë jetën e qytetarëve dhe t’u mundësojë palëve të arrijnë progres në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Dhe përfundimi duhet të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, juridikisht obligative”.

“Ne kemi qenë gjithmonë të suksesshëm kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bashkëpunuarnga afër. BE-ja duhet të jetë udhëheqës sepse ne po flasim për perspektivë evropiane. Jemi duke vendosur kontakte me ambasadorin Grenell, jemi në kontakt me ekipin e tij, jemi në kontakt me Departamentin e Shtetit. Nga përvoja ime personale them që ne, BE-ja dhe SHBA-ja, duhet të punojmë bashkë dhe unë jam shumë i dedikuar që të punoj ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Pra, deri tashti ju personalisht nuk patët ndonjë rast të diskutoni çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me ambasadorin Grenell?

“Nuk ka ndodhur ende, por do të ndodhë. Unë jam duke u përshtatur në pozitën time të re, jam duke kontaktuar partnerët e mi, pra jemi duke punuar në këtë drejtim dhe (diskutimi me Grenell) do të ndodhë”.

Çfarë nëse ka përplasje të përgjegjësive mes jush dhe ambasadorit Grenell?

“Unë nuk besoj që do të ketë përplasje të tilla, sepse të gjithë pajtohen që këtu po flasim për promovim të perspektivës evropiane dhe askush nuk e vë në pikëpyetje këtë. Dhe pikërisht për këtë arsye, roli i Bashkimit Evropian është i definuar qartë dhe partnerët amerikanë e kanë kuptuar dhe përkrahur gjithmonë këtë, kështu që nuk mendoj se mund të kemi ndonjë problem që ta kuptojmë njëri-tjetrin dhe rolin e njëri-tjetrit. Edhe presidenti Trump ka kërkuar nga të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje, sa më parë që të jetë e mundur”.

“Ju i keni lexuar letrat që ai i shkroi para një viti e gjysmë, ku thoshte se liderët e të dyja vendeve janë të mirëpritura të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë dhe të nënshkruajnë marrëveshjen. Kjo nuk është një garë, ky (dialogu) është një problem shumë serioz dhe shumë kompleks”.

“Tani natyrisht që prioriteti ynë është që të luftojmë kundër Covid-19, kjo është një situatë e paprecedentë dhe askush nuk është imun. Çdo shtet, çdo qeveri është e zënë duke u përpjekur ta mbrojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve të vetë, kështu që nuk mund të flasim për vazhdimin e dialogut nesër apo javën tjetër”.

“Por në të njëjtën kohë ne jemi duke punuar shumë të përgatitemi të rifillojmë sapo të na lejojnë rrethanat. Dhe ne nuk jemi duke filluar nga pika zero. Kemi histori, tashmë kemi marrëveshje që janë duke u implementuar, pra ne do ta vazhdojmë këtë proces dhe nuk duam të luftojmë për kohë. Natyrisht, nuk duam ta vonojmë këtë proces, por duam ta përfundojmë me sukses. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua”.

A mund të thuhet se tashmë veç keni filluar të punoni në dialog? A keni kontaktuar me liderët kosovarë dhe ata serbë, deri tashti?

“Po natyrisht që kam filluar. Kam filluar nga dita e parë dhe ajo që po bëjë tani është se po kontaktoj partnerët e mi në rajon, po kontaktoj partnerët e mi në Evropë, në SHBA, po i analizoj dokumentet nga dialogu i mëhershëm dhe po e ndërtoj ekipin tim. Pra unë kalojë orë të tëra, çdo ditë, në video konferenca, duke folur me njerëz”.

“I kam dërguar letër presidentit të Kosovës, zotëri Thaçit, kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, kryeparlamentares Vjosa Osmanit dhe liderëve të partive politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës dhe jemi duke punuar që të kemi biseda telefonike me ta. Dua të flas me ta dhe të shoh si e shohin ata situatën dhe kam bërë të njëjtën gjë më Serbinë. Kam kontaktuar presidentin Vuçiq dhe jam në kontakt me kryeqytetet evropiane dhe çdo ditë kontaktoj me njerëz të cilit kanë lidhje me këtë proces”.

Dhe jo të gjithë në Kosovë ishin të impresionuar me emërimin tuaj. Shumë e kanë përmendur faktin që ju vini nga një shtet i cili nuk e ka njohur Kosovën. Presidenti Thaçi ishte shumë skeptik për këtë çështje. Po ashtu, Glauk Konjufca ministri i jashtëm kishte rezervat e tij për emërimin tuaj. Çfarë u thoni atyre?

“Unë e kam vërejtur këtë, por do të doja të them që nuk është e rëndësishme prej nga vij, sepse unë e përfaqësoj Bashkim Evropian dhe kjo nënkupton që unë i përfaqësoj pikëpamjet e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Unë nuk e përfaqësoj dhe as nuk kam të drejtë ta përfaqësojë një shtet të veçantë, kështu që në vend që të fokusohemi të vendi nga vij, unë do të sugjeroja që ta shihni punën time”.

“Ju më njihni, unë kam një histori të gjatë me rajonin, me Kosovën. Për herë të parë e kam vizituar Kosovën në vitin 1999 dhe kam ardhur në Kosovë gjatë gjithë kësaj kohe dhe jam takuar me partnerët kosovarë në evente ndërkombëtare, kështu që ajo në të cilën unë besoj fuqishëm është e ardhmja evropiane, perspektiva evropiane. Unë isha përgjegjës për referendumin për pavarësinë e Malit të Zi dhe Mali i Zi është tashti shteti më i avancuar në procesin e integrimit evropian”.

“Kur isha përfaqësues i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Bosnja dhe Hercegovina e nënshkroi marrëveshjen e stabilizim asociimit me Bashkimin Evropian. Unë vërtet besoj që perspektiva evropiane është perspektiva më e mirë që mund t’ua ofrojmë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe për këtë jam i përkushtuar plotësisht. Unë dua të promovoj rrugën evropiane për Kosovën dhe qytetarët e saj dhe preferoj të gjykohem në bazë të punës time dhe rezultateve të punës time”.

A do të jetë rezultati i bisedimeve vendimtar për rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së?

“Definitivisht, sepse rezultati i bisedimeve, siç e dimë duhet të jetë një marrëveshje juridikisht obligative, e cila do t’i zgjidhë të gjitha çështjet njëherë e mirë, por në përputhshmëri me ligjet ndërkombëtare dhe ” acquis communautaire” të Bashkimit Evropian. Ajo duhet të mbështetet nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga ato të rajonit”.

“Por, qëllimi kryesor i kësaj marrëveshje nuk është vetëm që të përmirësojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por që të ndihmojë të dyja vendet në rrugën e tyre drejt BE-së dhe më e rëndësishmja, që të përmirësojë jetën e qytetarëve, sepse kjo është për qytetarët, dhe për këtë mendoj çdo ditë”.

Siç e përmendët, ishit i përfshirë në rajon dhe keni shumë miq. Keni marrë pjesë në shumë konferenca në rajon dhe për rajonin, por në vitin 2009 ju keni thënë se nuk do ta përkrahni asnjë iniciative e cila do ta impononte njohjen e Kosovës nga Serbia, si kusht për integrimin e kësaj të fundit në BE. A është ky opsion definitivisht jashtë tryezës së bisedimeve?

“Kjo ishte para se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të merrte vendimin e saj dhe unë e respektoj vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që thotë se kjo nuk ishte shkelje e ligjeve ndërkombëtare dhe kjo e ka ndryshuar situatën”.

Pra tashti, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ju keni ndryshuar qëndrim?

“Unë jam diplomat dhe natyrisht që i respektoj institucionet ndërkombëtare. Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare te Drejtësisë janë diçka që të gjithë duhet t’i respektojmë”.

Sipas kësaj gjykate, Kuvendi i Kosovës nuk bëri shkelje duke e shpallur pavarësinë e Kosovës. Pra, ju e respektoni këtë?

“Mendoj se unë tashmë u përgjigja në këtë pyetje. Më e rëndësishmja është se unë vij me mendje të hapur, nuk kam agjendë të fshehur dhe sjell përvojën time në mënyrë që të ndihmoj t’i zgjidhim problemet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë, që të ndihmoj t’i përmirësojmë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe të ndihmoj që të promovojmë rrugën drejt BE-së për Kosovën dhe Serbinë. Kjo është gjëja më e rëndësishme”.

A mund të shtrojmë pyetjen nga një kënd tjetër, pra a duhet që Serbia t’i ketë kufijtë e saj të finalizuar me të gjitha vendet fqinje, përfshirë Kosovën, në mënyrë që të pranohet si anëtare e BE-së?

“Kjo është diçka që do ta diskutojmë në procesin e dialogut. Dhe, sërish, roli im këtu është që ta lehtësoj këtë dialog dhe Bashkimi Evropian pret që të gjitha çështjet e mbetura të zgjidhen. Pra, ne nuk duam që të keni çështje të pazgjidhura, probleme të pazgjidhura. Dhe asnjë shtet nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian nëse ka çështje të pazgjidhura me vendet fqinje”.

“Bashkimi Evropian vendos se kur një vend është gati të integrohet në BE. Roli ynë është të sigurohemi se nuk po sjellim ndonjë çështje të hapur apo ndonjë problem në këtë proces. Ky është roli im dhe përgjegjësia ime”.

Zotëri Lajçak, në letrën që i keni shkruar presidentit Thaçi, para dy ditësh, keni thënë që jeni i bindur se me vullnetin e vërtetë politik të të dyja vendeve, dhe përmes dialogut, mund të arrijmë rezultatet që të gjithë i dëshirojmë për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë?

Siç e dimë, pengesa kryesore është që, edhe pse Kosova e ka shpallur pavarësinë, është njohur si shtet i pavarur nga më shumë se 100 shtete, dhe është pranuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare, Serbia, deri tashti, refuzon ta pranojë këtë fakt.

“Unë vërtetë besoj që dialogu është mënyra e duhur për ta adresuar këtë çështje, sepse unë vërtetë besoj  në dialog. Unë jam një diplomat, diplomacia ndërtohet në dialog, kështu që kur ka qëndrime të ndryshme, mënyra më e mirë është të diskutohet e të gjinden zgjidhje”.

“Dhe kur shohim historinë e këtij dialogu – dikur dukej i pamundur, ndërsa tashti kemi rezultate konkrete, marrëveshje konkrete, të cilat janë duke funksionuar dhe janë duke u respektuar nga të gjithë, kështu që në vërtet besoj në këtë dialog, dhe vërtetë besoj se ky dialog mund të na ndihmojë t’i zgjidhim të gjitha çështjet. Dhe në fakt, ky është mandati ynë, është detyra jonë të zgjidhim të gjitha çështjet njëherë e mirë dhe vërtet besoj se mund t’ ia dalim”.

Zotëri Lajçak, si do të punoni në baza të përditshme? A do të keni tema të caktuara për të cilat do t’i ftoni ekipet që të marrin pjesë në takime diku, apo të mbani takime të ndara? A keni plan për këtë?

“Natyrisht që kam plan për këtë, siç e thashë, kjo është një punë me orar të plotë dhe unë do të qëndroj në Bruksel, do të zhvendosem në Bruksel, sapo të lejojnë rrethanat dhe të hapen kufijtë. Natyrisht që do të jem në kontakt të përditshëm me partnerët e mi nga rajoni dhe do të sigurohem që Bashkimi Evropian të jetë i informuar se çfarë po ndodhë”.

“Unë natyrisht do ta vizitoj rajonin, do të vij në Kosovë dhe do të sigurohem që Bashkimi Evropian të jetë i informuar gjatë gjithë kohës. Unë tashmë jam shumë i ngarkuar, dhe do të jem edhe më i ngarkuar sapo të fillojë dialogu i vërtetë. Dialogu i vërtetë natyrisht nënkupton që do të takohem me palët dhe do të diskutojmë çështjet, do të ketë negociata që do të zgjasin me orë të tëra”.

Ju e përmendët që gjatë pandemisë do të jetë e vështirë, pra kur mendoni se do të filloni të punoni me të dyja palët? Do të prisni që pandemia të përfundojë apo do të gjeni një mënyrë tjetër për të vazhduar?

“Mendoj se tashmë e thashë që unë nuk po pres të filloj, unë tashmë kam filluar dhe jam në kontakt të përditshëm me politikanët e rajonit, ata nga BE-ja dhe nga SHBA-ja dhe me ekipin tim jemi duke përgatitur hapa shumë konkretë si ta rinisim dialogun, sapo ta lejojnë rrethanat. Po ashtu, jam duke shqyrtuar analiza të situatës nga partnerët e mi, çfarë janë pritshmëritë e tyre. Kjo nënkupton që jemi duke u përgatitur që ta vazhdojmë dialogun në ditën e parë të përfundimit të pandemisë. Kështu që jemi duke punuar shumë për këtë”.

Çfarë formati do të ketë, do t’i ftoni që të ulen me orë apo ditë të tëra, derisa të arrihen marrëveshje?

“Kjo është e parakohshme, dhe e përsëris, roli im është të lehtësoj, pra të dyja palët do të vendosin se cila do të jetë agjenda dhe ritmi i procesit. Unë jam këtu që të ndihmoj, unë nuk jam këtu që të diktoj apo ta shtyjë me forcë askënd, por vetëm të lehtësoj dialogun dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

“Dhe ne kemi një përvojë pozitive nga e kaluara.  Natyrisht që unë jam në kontakt me zonjën Ashton, zotëri Cooper, me negociatorë nga e kaluara, kështu që e dimë çfarë ka funksionuar dhe ato gjëra që kanë funksionuar në të kaluarën, do të vazhdojmë t’i marrim si shembull në punën tonë”.

Zotëri Kurti ju ka dërguar një letër në të cilën ai ju prezantoi një ekip që do të marrë pjesë në dialog. Në atë letër ai tha se vetë do të jetë udhëheqës i dialogut, ndërsa presidenti Thaçi, sipas tij, është personi i dytë përgjegjës.

Por, menjëherë Thaçi u përgjigj se ai (Kurti) nuk ka kompetencë që t’ju shkruajë, sepse ai është kryeministër në detyrë, pasi Kuvendi e ka rrëzuar qeverinë e tij. Pra, kemi një situatë të brendshme politike që është problematike.

A do të prisni që këto çështje të zgjidhen në mënyrë që ju të vazhdoni punën tuaj? A do ta vështirësojë kjo punën tuaj?

“Siç thashë, unë jam në kontakt të përditshëm me partnerët e mi dhe ne jemi ende nën kufizime për shkak të pandemisë, kështu që nuk mendoj se kjo po e ngadalëson situatën. Por, me lejoni të jem shumë i qartë, nuk më takon mua të vendos se kush do ta përfaqësojë Kosovën. Unë jam i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë përfaqësuesit kosovarë, kështu që kushdo që të jetë në ekipin negociator, do të jetë partneri im. Kjo është shumë e qartë dhe ne do të fillojmë të punojmë me partnerët tanë”.

A keni një afat se kur prisni të arrihet marrëveshje përfundimtare?

“Unë kam mjaftueshëm përvojë që të mos vendos afate. Është e rëndësishme që të mos humbim kohë, të fillojmë të punojmë sapo të krijohen rrethanat dhe pa vonesa. Unë nuk dua ta zvarris këtë, por nuk do të na ndihmojë asgjë e dhëna nëse tani vendosim ndonjë datë artificiale. Nuk ka ndihmuar kurrë”.

Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e BE-së për lëvizjen e lirë pa viza, por ende nuk mund të lëvizim pa viza. A prisni që ky vendim të merret nga Bashkimi Evropian, së shpejti?

“Të jem shumë i sinqertë me ju, unë e kuptoj zhgënjimin tuaj, unë jam me ju në këtë dhe ju kam thënë partnerëve të mi nëpër shtetet e Evropës që, nëse u kërkojmë partnerëve tanë t’i përmbushin obligimet e tyre, atëherë edhe ne duhet t’i përmbushim obligimet tona dhe unë e kuptoj që PO, Komisioni Evropian e ka theksuar shumë qartë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe prapë vendimi nuk është marrë. Por në të njëjtën kohë pyetja nuk është se a do të ndodhë, por kur do të ndodhë, kështu që do t’ju rekomandoja që të jeni të durueshëm, të mos frustroheni. Shikoni Maqedoninë e Veriut, ata duhej të prisnin”.

Ka shumë hapësirë për frustrim, ne jemi të vetmit që po jetojmë në geto, nëse mund ta quajmë ashtu.

“Unë e kuptoj dhe ua thashë që jam me ju në këtë. Edhe për qytetarët e vendit tim, liria e lëvizjes është një nga arritjet më të mëdha të integrimit evropian, Por, ajo që dua të them është, shikoni Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, edhe atyre u duhej të prisnin por tani e kanë marrë ftesën, kështu që do të ndodhë. Nuk kam dyshime dhe unë e shoh si pjesë të mandatit, detyrës dhe përgjegjësisë që kam, të flas me shtetet Evropiane, dhe këtë po e bëjë dhe po shtyjë përpara gjithcka po mundem në lidhje me dhënien e dritës së gjelbër për liberalizimin e vizave. Dhe këshilla ime personale dhe miqësore këtu do të ishte që të ankohemi më pak në Bashkimin Evropian dhe të punojmë më shumë me ato shtete që kanë shprehur shqetësimet e tyre. Gjeja më e rëndësishme është që t’i sigurojmë këto vende se nuk ka vend për shqetësim, kjo është qasja e duhur dhe siç thashë do të ndodhë”.

Zotëri Lajçak siç e dimë, pesë  vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin Kosovën si një shtet i pavarur. Në mesin e tyre edhe Sllovakia, shteti juaj, nuk e ka njohur Kosovën. A mendoni se kjo do të ndryshojë?

“Unë nuk duhet të flas për shtete individuale të Bashkimit Evropian, por ajo që dua të them është se unë vërtet besoj që dialogu dhe rezultatet e suksesshme të këtij dialogu janë shumë të rëndësishme, kështu që të sigurohemi se ky dialog përfundon me sukses”.

Gjithashtu në tavolinën në Bruksel, zonja Mogherini u akuzua për përkrahjen e planit për ndarje mes Kosovës dhe Serbisë. A keni ndonjë koment për këtë?

“Unë e kam ndjekur këtë diskutim nga afër dhe ajo që dua të them është se rezultati i këtij dialogu duhet të jetë një marrëveshje, e cila jo vetëm që i zgjidh të gjitha çështjet e mbetura, por gjithashtu është në linjë me ligjet e Bashkimit Evropian dhe që pranohet nga krejt vendet anëtare të BE-së, sikur edhe nga rajoni”.

“Do të doja ta ndërtoj këtë dialog në parime dhe vlera evropiane, në mënyrë që kur të arrijmë marrëveshje, të mos kemi problem me pranimin e sa nga komuniteti ndërkombëtar”.

A do të jetë ndryshimi i kufijve zgjidhja?

“Unë mendoj se në një mënyrë diplomatike u përgjigja në pyetjen tuaj. Le të shkojmë për zgjidhje që do të pranohet nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga ato të rajonit, le ta gjejmë një zgjidhje që respekton rregullat dhe vlerat evropiane”.

Dhe shefi juaj, nëse mund ta quaj ashtu, zotëri Borrell, vjen nga Spanja, shtet që po ashtu s’e njeh Kosovën.

“Pra, tashti, nga perspektiva e Kosovës, janë dy evropianë të cilët do të merren në mënyrë të drejtpërdrejtë me çështjet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe të dy janë nga shtete që nuk e kanë njohur Kosovën. Dhe siç e përmendet, janë 27 shtete anëtare në BE, ku një pakicë e tyre nuk e njohin Kosovën”.

“Unë mendoj që zotëri Borell e ka bërë të qartë pozitën e tij edhe duke realizuar një vizitë në Kosovë, qysh herët. Dhe siç e thash në fillim të kësaj interviste, kur pajtohesh që të punosh për Bashkimin Evropian, kjo nënkupton që do ta përfaqësosh Bashkimin Evropian, nuk do ta përfaqësosh një shtet. Dhe sugjerimi im, nëse mund ta përsëris, është që të mos kemi paragjykime, le të gjykohem unë dhe ne, në bazë të punës dhe rezultateve tona. Por po u them edhe njëherë që unë nuk kam agjendë të fshehur, agjenda ime e vetme është që të ndihmoj në promovimin e të ardhmes evropiane për Kosovën, për Serbinë, për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Unë po e sjellë përvojën time personale në këtë proces dhe vërtet shpresoj që qytetarët e Kosovës do ta shohin këtë shumë shpejt, dhe se puna ime do ta dëshmojë që kjo që po them është e vërtetë”.

Zotëri Lajçak, duke qenë kjo intervista juaj e parë që po e jepni nga kjo pozitë, duhet t’i adresojmë të gjitha çështjet që janë duke u diskutuar. Albin Kurti tha në Kuvend që ai dyshon se ka një marrëveshje sekrete të gatshme Kosovë-Serbi, e cila pritet vetëm të nënshkruhet nga të dyja palët. Cili është komenti juaj për këtë?

“Nuk dua të spekuloj, unë kurrë nuk e bëjë këtë. Unë nuk kam parë një marrëveshje të tillë dhe askush nuk më ka thënë se ka një marrëveshje të tillë. Unë punoj me fakte, ne kemi një agjendë të qartë përpara, kemi një dialog, e dimë se cili është qëllimi ynë, kështu që ua lë spekulimet tjerëve. Unë jam i fokusuar plotësisht në atë që kam përpara, e që është dialogu, që është mandati im”.

Serbia është duke e vazhduar kampanjën e saj për ç’njohje të pavarësisë së Kosovës, çfarë do të bëhet në këtë drejtim?

“Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë se pret nga të dyja palët të përmbahen nga çdo aktivitet i cili ka potencial ta përkeqësojë atmosferën. Ne duam ta krijojmë një atmosferë të favorshme për një rezultat pozitiv të dialogut dhe këto janë pritshmëritë tona”.

Për sa kohë është kontrata juaj?

“Jam emëruar që të jem përfaqësues special nga 2 prilli 2020 deri me 1 mars 2021, por kontrata mund të vazhdohet. Kontrata ime do të zgjasë aq sa të zgjasë mandati kështu që mund të jetë me e shkurtë, por mund të jetë edhe më e gjatë. Përsëri e them që datat nuk janë të rëndësishme, ajo që është e rëndësishme është rezultati i punës sonë”.

A është realiste të presim që të arrihet një marrëveshje finale në mes të dy palëve deri në mars të vitit të ardhshëm?

“Është realiste të pritet që të ketë një marrëveshje finale, është realiste të pritet që të ketë një marrëveshje të mirë, një marrëveshje që do të ndihmojë Kosovën e Serbinë në rrugën drejt BE-së, një marrëveshje të mirë për rajonin, një marrëveshje që do të përmirësojë jetën e qytetarëve në Kosovë. Se a do të ndodhë në shkurt, mars apo prill, nuk ka shumë rëndësi”.

Ajo që ka rëndësi është kualiteti i saj. Dhe siç ju pyeta, çfarë do të bëni ju ndryshe? Çfarë duhet të bëjnë liderët e dyja vendeve ndryshe për të arritur një zgjidhje që do të pranohet nga të gjitha palët?

“Emërimi im është një emërim i ri, nuk ka pasur një përfaqësues special për dialogun më parë, kështu që kjo tashmë është një ndryshim, pra ka një person politik përgjegjës 24 orë në shtatë ditë të javës për dialogun, ky është një ndryshim. E dyta, ne jemi të gjithë të ndryshëm, jemi të gjithë njerëz, jemi të gjithë që po i sjellim përvojat tona, idetë tona. Natyrisht, unë do ta ndërtoj punën time në të arriturat e kaluara të dialogut, të gjitha ato që tashmë janë arritur dhe janë implementuar dhe unë jam duke e sjellë përvojën personale të dikujt që beson në Bashkimin Evropian dhe perspektivën evropiane, dhe që e përkrah këtë perspektivë edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kështu që i njoh partnerët e mi, i njoh mjaft mirë, jam i gatshëm të punoj me ta, me mendje të hapur dhe jam shumë optimist që do të arrijmë rezultate të mira për qytetarët”.

Zotëri Lajçak, ju faleminderit për këtë intervistë dhe paçi fat, do t’ju duhet!

“Ju faleminderit shumë, unë llogaris në mbështetjen tuaj! Ju faleminderit!”.