Internisti Vela: Remdesiviri të përdoret tek pacientat e hospitalizuar, jo tek ata që janë në gjendje kritike

Internisti Vela: Remdesiviri të përdoret tek pacientat e hospitalizuar, jo tek ata që janë në gjendje kritike

NULL NULL
1 month më parë

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se është furnizuar me ilaçin “Remdesevir”.

Furnizimi me këtë ilaç, që përdoret për pacientët me COVID-19 është bërë nga Ministria e Shëndetësisë.

Internisti Driton Vela në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë që ky ilaç rekomandohet të përdoret te pacientat e hospitalizuar, jo tek ata që janë në gjendje kritike.

“Remdesiviri është i përfshirë edhe në udhërrëfyesin e fundit kosovar për menaxhimin dhe trajtimin e COVID-19. E kemi pasë edhe në atë të vitit të kaluar por udhërrëfyesi i ri e specifikon saktë se me cilin grup të pacientëve mund të përdoret. Është fjala për një grup të caktuar por që në numër është relativisht i madh i pacientëve të hospitalizuar”, u shpreh Vela.

“Remdesiviri aktualisht rekomandohet të përdoret te pacientat e hospitalizuar. Kjo do të thotë që nuk mund të përdoret të pacientat që nuk janë të hospitalizuar por është fjala për pacientat që mund të qëndrojnë në shtëpi për t’u trajtuar, apo ata që e kanë formën e lehtë dhe të moderuar të sëmundjes. Në anën tjetër, tek pacientat e hospitalizuar të cilët kanë nevojë për oksigjenoterapi në ato raste mund të përdoret Remdesiviri, por duhet pasur kujdes pasi nuk mund të përdoret tek ata që janë në gjendje të rëndë, ose në gjendje kritike”.

Vela theksoi se Remdesiviri kryesisht përdoret tek “pacientat e hospitalizuar të cilët kanë nevoja stabile për oksigjen”.