Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Inteligjenca artificiale dhe të shkruarit shqip, një raport i ndërlikuar

NULL NULL
02.07.2025 17:23
Imazh i krijuar nga Inteligjenca Artificiale / © Klankosova.tv

Inteligjenca artificiale dhe të shkruarit shqip — një raport i ndërlikuar.

Kështu, do ta shkruante IA-ja titullin, me një vizë të gjatë, duke ndjekur shembullin në anglisht, porse në shqip praktikohet kryesisht presja (,).

Ndonëse ndihmesë e madhe për ata që çalojnë në shqip, të rryerit me këtë gjuhë i rrinë anash IA-së për sa i përket efikasitetit të saj për të lekturuar, formuluar fjali, e redaktuar.

Lektori Berat Dakaj, në një intervistë për Klankosova.tv, thotë se, në fazën aktuale të IA-së, ajo ka probleme të theksuara me sintaksën dhe morfologjinë shqipe.

Mirëpo, ai e sheh si shpëtim IA-në “për ata” që s’dinë të shkruajnë shqip, dhe është mirëpritës ndaj idesë që ata të vazhdojnë ta përdorin atë.

Ndër arsyet pse IA-ja po ngec në shqip, sipas Dakajt, janë burimet prej ku i ndjek rregullat, e mbi të mugnesa e ndjeshmërisë dhe origjinaliteti njerëzor.

Si e shihni përdorimin e inteligjencës artificiale për të na ndihmuar në të shkruarit shqip?

Inteligjenca Artificiale (IA) atyre që shqipen e shkruajnë keq, edhe atyre që nuk e shkruajnë mirë, u ndihmon mjaft. Prandaj, mirë që e krijuan, sepse IA u ka munguar njerëzve që në një fjali prej njëzet fjalësh, i kanë bërë njëzet gabime. Njerëzit e tillë mësues më të mirë se IA nuk kanë pasur kurrë.

Berat Dakaj, lektor

Ka plot sosh që e shohin si të pashmangshme IA-në. Nëse bëhet (apo, tashmë është bërë) e tillë, atëherë si dhe kur duhet ta përdorim, por duke ruajtur origjinalitetin tonë?

Për mua, për punët e mia, është e shmangshme çdo ditë. IA-në njerëzit që e shkruajnë shqipen keq, edhe ata që s’e shkruajnë mirë, pra drejt dhe saktë, edhe mund ta përdorin për shkrim të shqipes, sepse nuk dinë të shkruajnë vetë dhe na “shesin” mend. Por, disa lexues të mirë e të vëmendshëm, që kanë “bashkëbiseduar” me IA-në vetëm katër pesë herë, që kanë kërkuar prej saj një shërbim për shkrim të një opinioni, tregimi, poezie, eseje, novele, drame, e ku di tjetër, vërejnë gjuhën e varfër dhe mekanike, gjuhën pa shpirt të saj. E si dhe kur duhet ta përdorim në mënyrë që ta ruajmë origjinalitetin tonë, është pyetje që duhen dhënë shpjegime me shembuj të shumtë. Vetëm e di që, ata që kanë origjinalitet, nuk e përdorin në shkrime letrare, në raportimet ditore, në publicistikën e thjeshtë, po.

Ku ia del e ku dështon aktualisht IA-ja te shqipja?

Ata që kanë njohuri të shumta për gjuhën shqipe vërejnë shumë mangësi te gjuha shqipe e IA-s. Shpeshherë polemizoj me IA-në për fjalët që i shkruan gabim, për informacionet e pasakta që m’i jep, se ashtu i ka mbledhur nga rrjeti, nga publikimet në gazeta, në revista, në platforma. Po kur unë ngul këmbë për një fjalë, një fjali a një shprehje se e ka shkruar gabim, si kundërpërgjigje më përcjell vjegëza të publikimeve të trajtesave dhe të kumtesave të studiuesve për gjuhën shqipe, duke iu referuar seriozisht disa studimeve të disa studiuesve që nuk kanë bërë studime serioze dhe duke u përpjekur, nëpërmjet shkrimeve të tyre, të ofrojë “dëshmi” se nuk e ka shkruar fjalën gabim.

Pas një polemike të gjatë, shpeshherë edhe të shkurtër, IA dorëzohet dhe më pyet: A dëshiron t’u rekomandoj të tjerëve se kjo fjalë shkruhet kështu sikurse thoni. Dmth., argumentet e IA-s për gjuhën shqipe, për shkrimin e saj, nuk janë shkencore. IA, edhe pse shkruan shqip, kur i bën pyetje në gjuhën shqipe, nuk ka rregulla të sakta morfologjike dhe sintaksore të shqipes. Fjalitë e saj nuk kanë konstruktin e gjuhës shqipe. Fjalori i saj është shumë i varfër. Problemet më të mëdha, dështimet më të shumta, i ka në sintaksë. /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.