Iniesta dhe Xavi duan “tripletën” - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Iniesta dhe Xavi duan “tripletën”

NULL NULL
02/06/2015
Andres Iniesta pritet të jetë në fushë të shtunën. Pas një dëmtimi në finalen e Kupës së Mbretit, mediet spanjolle spekuluan se mesfushori mund ta humbasë finalen, por spanjolli ka thënë se nuk e konsideron këtë opsion.

“Ka qenë një problem i vogël. S’dua ta humbas finalen për asgjë në botë. Shpresoj që të jem 100% i gatshëm dhe të ndihmoj skuadrën të fitojmë një tjetër Champions”, është shprehur Iniesta.

Numri 8 i Barçës është shprehur se skuadra është duke kaluar në një formë të lartë, por kjo nuk i bën favorite për të fituar ndeshjen. Sipas tij, “zonja” është një kundërshtar i fortë, ndërsa elementë si Pirlo janë shumë të rrezikshëm.

“Në finale s’ka favorit, të shtunën do të kemi një kundërshtar të fortë, por ne jemi në një formë të mirë. Juve ka lojtarë si Pirlo, që kanë eksperiencë në finale dhe mund të vendosin një ndeshje, prandaj duhet të kemi kujdes”, ka vazhduar Iniesta.

Ndërkohë, kapiteni i skuadrës Xavi Hernandez kërkon që ta mbyllë me “tripletë” këtë sezon. Ai nuk do jetë më pjesë e katalansve, pasi gjithçka do të përfundojë me finalen e Berlinit.

“Pavarësisht a do jem në stol, në fushë apo tribunë, unë do të mundohem të ndihmoj skuadrën të fitojmë edhe këtë trofe. Për mua kjo do jetë një dhuratë, të cilën nuk e prisja në fillim”, ka thënë Xavi.

Duke dhënë mbështetjen për trajnerin Luis Enrique, kapiteni pret që sfida me Juven të jetë shumë e vështirë. “Të gjithë na shohin ne si favorit, por nuk do jetë aspak lehtë. Do jetë një sfidë e vështirë dhe dyja skuadrat kanë mundësi të barabarta për ta fituar”, ka deklaruar ai.