Lajmet e fundit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka reaguar pas protestës së mbrëmshme, duke kritikuar ndërhyrjen e Policisë së Kosovës ndaj protestuesve.
Lushtaku, përmes një reagimi, ka shprehur indinjatën e tij ndaj pamjeve nga protesta, duke përmendur edhe kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, transmeton Klankosova.tv.
“Kur i shoh veteranët e luftës të lënduar nga dora e Policisë së Kosovës, ndërsa shoh zgerdhirjet e Albin Kurtit, Xhelal Sveçlës dhe Gazmend Hoxhës, them: marre, marre, marre!”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka thënë se veteranët, gra e burra, të rinj e të moshuar, kanë dalë me kërkesën që t’ua rikujtojnë deputetëve përgjegjësinë e tyre.
“UÇK-ja është ma e madhe se çdo parti!”, ka deklaruar ai.
Lushtaku ka paralajmëruar gjithashtu se do të kërkohet hetim për rrethanat e përplasjes dhe veprimet e institucioneve.
“Do të kërkojmë hetim të thellë e të pavarur, deri te çdo urdhër, vendim dhe telefonatë që lidhet me këtë dhunë”, ka shkruar ai.