Import 100% i energjisë? KEK dhe KESCO japin mesazhe të ndryshme NULL NULL 20.06.2025 23:11 20.06.2025 23:11 Foto nga REL Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) thirri sot në mbrëmje një konferencë për media për të arsyetuar njoftimin e Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) të bërë gjatë ditës ku u informua për një mungesë të theksuar të prodhimit vendor të energjisë elektrike që pritej të ndodhte nesër dhe në ditët në vijim. Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani tha se nuk do të ketë import 100% të energjisë elektrike, teksa përmendi se edhe gjatë ditës së sotme, KEK-u ka arritur të mbulojë me 75% konsumin. Por, KESCO në njoftimin e sotëm, situatën me rrymë e paraqiti tejet të rëndë. “Në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit”, tha KESCO-s, raporton Klankosova.tv. Ky lajmërim erdhi pasi kompania kishte pranuar një njoftim nga KEK-u mëngjesin e sotëm mbi gjendjen e rënduar prodhuese në korporatë. Por, rreth tre orë pasi kompania për furnizim me rrymë doli me njoftim, reagoi KEK-u, duke tentuar të minimizojë situatën. Kjo korporatë tha se njësia A3 e TC Kosova A është rikthyer në funksion. “Njësia A3 është rikthyer në operim dhe po funksionon normalisht. Njësia B1 parashihet të rikthehet brenda 48 orëve, ndërkohë që po punohet maksimalisht për rikthimin në operim edhe të njësive të tjera të Termocentralit ‘Kosova A’ në ditët në vijim”, tha KEK-u në njoftimin e orëve të pasdites. Megjithatë, lamërimi i KESCO-s për “kolaps energjetik” bëri që në opinion të ketë reagime të ashpra. I pari i PDK-së, Memli Krasniqi fajin për një situatë të tillë ia la Qeverisë Kurti në detyrë, ku dhe i kërkoi veprim urgjent. “Kosova ka rezerva të mëdha të thëngjillit dhe infrastrukturë ekzistuese për prodhim vendor, por sot qytetarët, përveç se po përballen me çmime marramendëse të energjisë, po përballen edhe me pasiguri dhe kërcënim me reduktime të furnizimit, pa asnjë transparencë. Prej përfundimit të luftës nuk ka ndodhur që mos të ketë fare prodhim të energjisë nga KEK-u! Në emër të interesit publik, kërkoj urgjentisht nga Qeveria në largim që t’u japë qytetarëve një sqarim të plotë dhe të qartë: Pse KEK-u nuk po arrin të prodhojë energji? Cilat janë arsyet e degradimit të kësaj ndërmarrjeje strategjike? A është kjo gjendje pasojë e sabotimit të qëllimshëm ndaj KEK-ut? A kanë dorë mafia energjetike dhe sekserët e tregtisë me energji për gjendjen aktuale?] Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë të rëndë?”, ishin disa nga pyetjet e Krasniqit drejtuar Qeverisë në detyrë, ndaj të cilës kërkoi përgjegjësi të plotë, transmeton Klankosova.tv. Nga ana tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj situatën e rëndë me energjinë elektrike e quajti të qëllimshme. “Kosova sot fle në thëngjill e s’ka energji. Sot ranë të gjitha blloqet, aktualisht ka zero prodhim të energjisë elektrike nga KEK. Kjo nuk është rastësi, është rezultat i një kolapsi të qëllimshëm, i diktuar nga direktiva politike dhe i ushqyer nga pazaret e tuxharëve të mafisë energjetike, të cilët sot kontrollojnë tregtinë me rrymë”, ishte shprehur kreu i AAK-së. Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se kjo krizë energjetike po e rrënon ekonominë kosovare. “Asnjë masë nuk është marrë tash e sa vite. Blloqet e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B vazhdojnë të bien nga sistemi, pasi tenderët për rinovim e mirëmbajtje vonohen me vite. Centrali me gaz i Marrëveshjes së Uashingtonit u anulua në vitin 2021. Mjetet e parapara për atë qëllim u destinuan për projektin e baterive, por në fund humbën krejtësisht për shkak të ndryshimit të prioriteteve të politikave amerikane. Dalja në tregun e hapur energjetik, pa i siguruar kushtet paraprake, duket se do të jetë shkatërruese për shumë prodhues. Kjo do të ketë pasoja për punësimin e mijëra punëtorëve dhe, në veçanti, do të përkeqësojë aftësitë konkurruese të prodhuesve të Kosovës në tregun vendor dhe të jashtëm, duke e thelluar edhe më tej deficitin tregtar të Kosovës”, pati shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook. Lidhur me situatën e krijuar energjetike reagoi edhe eksperti financiar, Kushtrim Ajvazi. Ai tha se qyteti i Ferizajt po përballet me mungesë të energjisë elektrike për më shumë se një ditë. Ndër të tjera, ai theksoi se mos stabiliteti energjetik po shkakton dëme në investime, kontrata dhe vende të punës. E Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani tha se deklarata e mëngjesit ndaj KESCO-s është korrigjuar në ndërkohë. “Nuk do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, ta keni këtë të qartë. Ne e kemi deklaruar në mëngjes kapacitetin e prodhimit që kemi parashikuar për nesër, ka pasë një pasiguri nga ekipi i termocentralit Kosova A për të deklaruar atë kapacitet për nesër. Kjo është keqkuptuar, janë dhënë deklarata të ndryshme, më të cilat ne nuk merremi me to. [Deklaratat] që KEK-u nuk prodhon asnjë megavat pas 25 viteve, nuk janë të vërteta dhe kemi bërë atë korrigjim të deklarimit të kapaciteteve që njësia A3 do t’i prodhojë edhe nesër. KESCO-n e kemi partner strategjik. Ne do të prodhojmë energji elektrike nesër, nuk importohet energjia nesër 100%’’, tha Hashani gjatë konferencës për media. /Klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Ekonomi Pak orë pasi Izraeli sulmoi Iranin, çmimi i Bitcoinit ra për 3.1% në 24 orët e fundit 13/06/2025