IKSHPK-ja thotë se rritja e rasteve të gripit ka tejkaluar pragun epidemik NULL NULL 23.01.2025 16:05 23.01.2025 16:05 (Radio Evropa e Lirë) – Përhapja e shpejtë e gripit sezonal dhe rritja e madhe e rasteve të dyshimta me këtë sëmundje ngjitëse, kanë bërë që të tejkalohet pragu epidemik, ka paralajmëruar të enjten Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK). Pragu epidemik është parametër që përcakton nëse një sëmundje ngjitëse mund të përhapet tek popullata. Ai përdoret për të vlerësuar rreziqet e mundshme të një epidemie dhe për të filluar me zbatimin e masave të duhura kontrolli. Sipas institutit, në Kosovë pragu kalohet kur regjistrohen 5.000, apo më shumë raste me grip. Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, instituti tha se nga 6 deri më 12 janar është raportuar një numër prej 7.826 rastesh të dyshimta me sëmundje të ngjashme me gripin. Ndërsa, nga Klinika Infektive është raportuar një rast i vdekjes, i moshës 79-vjeçare. “Çdo sezon, institucionet shëndetësore kosovare regjistrojnë raste te vdekjeve dhe atë kryesisht te moshat mbi 65-vjeçare dhe rastet me sëmundje kronike përcjellëse, me trend të ngjashëm sikurse edhe në shtetet evropiane”, tha IKSHPK. Çdo vit, kryesisht gjatë sezonit të dimrit, gripi sezonal prek rreth 1 miliard njerëz, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). OBSH-ja vlerëson se ka rreth 3 deri në 5 milionë raste të rënda me grip sezonal në botë, dhe mes 290.000 dhe 650.000 vdekje në vit në botë. Çfarë është gripi sezonal? Gripi sezonal është sëmundje akute infektive, e cila te një numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike. Simptomat e gripit zakonisht fillojnë rreth dy ditë pas infektimit dhe zgjasin zakonisht një javë. Simptomat përfshijnë: ethe papritmas, kollë (zakonisht e thatë), dhimbje koke, dhimbje të muskujve dhe kyçeve, dhimbje të fytit dhe rrjedhje e hundës. Shumica e njerëzve e shërohen vetë nga gripi. Megjithatë, njerëzit me simptoma të rënda apo me sëmundje të tjera përcjellëse, duhet të kërkojnë ndihmë mjekësore. Vaksina është mënyra më e mirë për ta parandaluar gripin sezonal. Imuniteti nga vaksina venitet me kalimin e kohës, prandaj këshillohet vaksinim vjetor për t’u mbrojtur nga gripi sezonal. Instituti tha se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për këtë sezon 85.000 doza të vaksinës dhe qytetarët mund të vaksinohen në secilën komunë, në qendrën më të afërt të mjekësisë familjare. Ai i përsëriti thirrjet për qytetarët që të vazhdojnë të vaksinohen./REL/ Për të lexuar artikullin e plotë klikoni këtu. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.