Lajmet e fundit

Tony D'Amico po përmendet gjithnjë e më shumë si kandidati kryesor për ta zëvendësuar Igli Taren te Milan, raportojnë mediat italiane. Sipas raportimeve, CEO i klubit Giorgio Furlani e sheh D’Amicon si njeriun ideal për rindërtimin e projektit sportiv të kuqezinjve.
D’Amico ka krijuar reputacion të madh në Itali si ekspert i “plusvalencave”, pra i blerjes së lojtarëve me kosto të ulët dhe shitjes së tyre për shuma shumë më të mëdha. Ai shkëlqeu fillimisht te Hellas Verona, ku zbuloi dhe shiti futbollistë me fitime të mëdha, ndërsa më pas vazhdoi të njëjtën filozofi te Atalanta, transmeton Klan Kosova.
Gjatë periudhës së tij te Atalanta, ai kontribuoi në afrimet e futbollistëve si Rasmus Højlund, Ademola Lookman, Éderson dhe Mateo Retegui, lojtarë që më pas rritën shumë vlerën në treg.
Raportimet e fundit nga Italia thonë se Furlani po mendon seriozisht për largimin e Tares pas sezonit zhgënjyes të Milanit, ndërsa D’Amico shihet si alternativa më e fortë për ta marrë drejtimin e merkatos kuqezi.