Lajmet e fundit

Politikani shqiptar në Gjermani, Muhamet Idrizi, në një lidhje direkte për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ka folur rreth tubimit të komunitetit shqiptar para objektit të Rathaus-it në Hamburg, ku u ngrit zëri kundër vendimeve të Dhomave të Specializuara ndaj krerëve të UÇK-së.
Idrizi theksoi se kërkesa parësore e këtij organizimi është heqja e narrativës që njollos luftën çlirimtare dhe shpalljen e saj si ndërmarrje kriminale, duke kërkuar një mobilizim të gjerë dhe mbipartiak për fazën e apelit.
Kërkesat kryesore janë që ky aktvendim dhe ky dënim i UÇK-së të përmirësohet. Duhet të veprojmë mbi-partiak dhe të futet energjia që njollosja e Republikës së Kosovës në narrativë dhe kjo shpallje si organizatë krimi të tërhiqet. Është hera e parë që bëhet një organizim i tillë në Hamburg dhe mendoj se do të marrë hov për një çështje që është lënë anash politikisht për një kohë shumë të gjatë," tha ai.
Idrizi kritikoi ashpër përçarjet politike në Kosovë dhe dëmtimin e marrëdhënieve brenda diasporës, duke theksuar se pa unitet dhe pa koordinim institucional nuk mund të arrihet sukses në Berlin zyrtar.
Në fund, Idrizi theksoi se marshimet dhe prania e flamujve të UÇK-së në qytetet gjermane ngjallin kureshtjen dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik vendas.