Lajmet e fundit

Një infermier në Skoci është larguar nga regjistri profesional, pasi u përfshi në një incident të rëndë në shtëpinë e një të njohuri, ku kishte shkuar për t’u kujdesur për qenin e familjes.
Iain Scott Laing kishte marrë çelësin e banesës në janar të vitit 2025. Megjithatë, kamerat e sigurisë në shtëpi e filmuan duke hyrë në disa raste në dhomën e një vajze 13-vjeçare, në një kohë kur pjesëtarët e familjes nuk ndodheshin aty.
Sipas vendimit të gjykatës, ai mori disa sende personale të vajzës dhe i përdori në mënyrë të papërshtatshme. Laing pranoi fajësinë për sjellje kërcënuese ose abuzive me natyrë seksuale dhe u dënua me tre vite mbikëqyrje në komunitet, ndërsa iu vendos edhe detyrimi për t’u regjistruar në regjistrin e autorëve të veprave seksuale.
Ai e kundërshtoi më vonë këtë masë, por Gjykata e Apelit e rrëzoi kërkesën, duke vlerësuar se veprimet e tij kishin qenë të planifikuara dhe se kishte shfrytëzuar aksesin që i ishte dhënë në banesë, transmeton Klankosova.tv.
Tashmë, Këshilli i Infermierisë dhe Mamisë ka vendosur se Laing nuk është më i përshtatshëm për të ushtruar profesionin dhe e ka hequr nga regjistri.
Paneli e cilësoi sjelljen e tij si një shkelje serioze të besimit dhe tha se ai nuk kishte treguar reflektim të mjaftueshëm mbi veprimet e tij, ndërsa ekzistonte edhe shqetësimi për mundësinë e përsëritjes së tyre.