I dyshuari kryesor për vjedhjen e Thesarit pritet të dorëzohet në polici (VIDEO)

I dyshuari kryesor për vjedhjen e Thesarit pritet të dorëzohet në polici (VIDEO)

NULL NULL
nga Qendresa Bellagoshi 1 muaj më parë

Kadri Shala, i dyshuari kryesor për vjedhjen e më shumë se 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, pritet që më së largu mëngjesin e së martës të dorëzohet tek organet e rendit.

Këtë për Klan Kosova e konfirmoi vëllai i tij, Bedri Shala.

”Pritet me ardhë nesër në mbrëmje e me u lajmëru në mëngjes, ai po don me ardhë e me u sqaru vet”, deklaroi ai.

Kadri Shala si pronar i ”LDA-Group”, në llogarinë e tij bankare kishte pranuar para disa herë nga Thesari deri kur shifra ka kaluar vlerën prej 2 milionë e 77 mijë euro, njofton Klan Kosova

Klani mëson se ai momentalisht ndodhet në Turqi, ndërkaq i dyshuari tjetër, Valon Shala, nuk pritet të dorëzohet.

”Ai është në Gjermani në punë as nuk ka qenë në Kosovë prej gushtit”, tha vëllai i Kadriut, duke shtuar se lidhja e tij me këtë rast është e pamundur.

Por ndryshe nga këta, prapa grilave është i dyshuari tjetër, Labinot Gruda.

Këta morën nga Qeveria një letër ku ju kërkohet që të kthejnë paratë e marra, por mësohet se mjetet veçse kanë nisur të shpenzohen e të kalojnë në llogari tjera.

Lidhur me këtë, të shtunën mbrëma, policia konfiskoi 3 vetura, për të cilat prokuroria nuk dha shumë detaje se kujt i takojnë e çfarë vlere arrijnë.

”Ju njoftojmë se automjetet janë sekuestruar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, si pjesë e veprimeve hetimore në kuadër të rastit të Thesarit të Shtetit.

Andaj, duke pasur parasysh se rasti ende është në fazë të hetimeve, në këtë kohë nuk mund të japim të dhëna tjera”, thuhet në përgjigjjen e Prokurorisë Speciale.

Pavarësisht kësaj, në familjen Shala, pranojnë se një nga veturat është e tyre.

”Vetura është Tuareg me targa 04 une e kam ble prej tij. Ka qenë në emër të kompanisë se tij, e kam kryer me noter me krejt, por ata dyshonin. Thanë ‘‘qysh ka ardhe kjo makine te ti?” janë ardhë ma kanë kërku makinën. 6 mijë euro e ka vlerën”, potencoi Bedri Shala që deklaron se vetura është në pronësi të tij.

Por dy të tjerat nuk dihet se të kujt ishin, ngase të afërmit e të arrestuarit, Labinot Gruda, thanë se në lidhje me këtë rast askush nuk ka marrë asgjë nga ta.