Lajmet e fundit

Qytetarë të shumtë u mblodhën sonte në sheshet e Prishtinës, në natën e 15-të të protestës me moton “Jo në emrin tim”, për të shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta u shoqërua me thirrje të vazhdueshme “UÇK, UÇK” dhe “Jo në emrin tim”, ndërsa pjesëmarrësit përcollën mesazhe se do të vazhdojnë të protestojnë dhe ta kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Speciale.
Në mesin e mesazheve të protestuesve u dëgjua edhe shprehja: “I bëjmë të fala Hagës, do të jemi këtu edhe 15 vjet po qe nevoja".
Në shesh u panë edhe mesazhe dhe simbole të ndryshme.
Vëmendje mori një portret i presidentit amerikan, Donald Trump, pranë të cilit ishte shkruar “Shpëtimtari”.
Pjesë e protestës ishin edhe figura të njohura publike.
Këngëtari Ermal Fejzullahu, në fjalimin e tij, tha se UÇK-ja përfaqëson kujtesën që bashkon popullin dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.
Ai theksoi se kishte dalë në protestë si artist, qytetar dhe shqiptar, duke thënë se, pavarësisht dallimeve politike apo mendimeve të ndryshme, UÇK-ja është ajo që i bashkon.
Para protestuesve foli edhe këngëtari Korab Shaqiri, i cili përcolli mesazhin se “Historia është kokëfortë, nuk ndryshohet”.
Ndërsa, gazetari nga Shqipëria, Alban Dudushi, iu drejtua gjithashtu qytetarëve të mbledhur në shesh.
Protesta vazhdoi me thirrje dhe brohoritje në mbështetje të UÇK-së dhe me mesazhin “Jo në emrin tim”, duke shënuar kështu natën e 15-të të tubimeve në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.