Lajmet e fundit

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
E ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë pasi i njëjti është publikuar në Gazetën Zyrtare të Qeverisë së Kosovës, raporton Klankosova.tv.
Në vendim, qeveria ka vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në vendimin e datës 2 tetor 2026, të nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, Qeveria ka shqyrtuar kërkesën e Kuvendit të Kosovës, të datës 23 shtator 2026.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 1108, të datës 23 shtator 2026, vlerëson se nuk ka pengesa ligjore për Nismën për ‘Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar’”, thuhet në vendim.
Sipas dokumentit, vendimi bashkë me tekstin e mendimit nga pika e parë i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Dokumenti është nxjerrë në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur më 2 tetor 2026. /Klankosova.tv